Majlinda megjithatë, nuk garon, xhudistet e tjera sot kërkojnë medalje

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, nuk do të garojë në garën më të famshme të xhudos, Grand Slamin e Parisit. 

Me gjithë mungesën e Majlindës, Kosova synon medalje në garën që mbahet të shtunën (sot) e të dielën në kryeqendrën e Francës. Të shtunën (sot) në tatami dalin tri xhudiste të Kosovës, Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Laura Fazliu, shkruan sot Koha Ditore.

Në të vërtetë, deri të premten është pritur që Majlinda Kelmendi të garojë në Paris, ku vazhdimisht ka shkëlqyer. 

Por trajneri Driton Kuka, në çastet e fundit vendosi ta pushojë. Ka vite që Majlinda përballet me lëndime, por aktualisht nuk ka ndonjë shqetësim të madh. 
Megjithatë, ajo kohë më parë, i është nënshtruar një trajtimi në Izrael dhe trajneri Kuka ka vendosur ta pushojë, duke vlerësuar se nuk mund të japë më të mirën. Majlinda ka një shqetësim të shpinës dhe trajtimi në Izrael ishte për këtë.

“Kam vendosur që Majlinda të mos garojë në Paris. Jam konsultuar me fizioterapeutin dhe kemi vlerësuar që ajo të pushojë, pas trajtimit për shpinë që kishte në Izrael. Kam pasur dilema për aktivizimin e Majlindës në këtë garë, ndonëse e kishim paraqitur për Paris. Ajo ka mjaftueshëm telashe, është duke u kthyer në formë dhe duhet ta ruajmë maksimalisht. Ky vendim shkon në shërbim të kësaj”, ka thënë trajneri Driton Kuka për gazetën Koha Ditore.