Mali, mirëpritet me gëzim vendimi për tërheqjen e ushtarëve francezë nga vendi

Mijëra persona u mblodhën në kryeqytetin Bamako pas njoftimit të Francës për të tërhequr elementët e saj në operacionin Barkhane dhe Task-forcën Takuba

Në Mali është mirëpritur me gëzim vendimi i Francës për t’u tërhequr nga operacioni Barkhane dhe Task-forca Takuba, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mijëra persona u mblodhën në kryeqytetin Bamako pas njoftimit të Francës për të tërhequr elementët e saj në operacionin Barkhane dhe Task-forcën Takuba.

Amina Fofana, njëra prej organizatoreve të protestës vuri në dukje se Franca me arsyetimin për luftën kundër terrorizmit ka qëndruar në vend për 9 vite. Ajo shprehu falënderimet ndaj qeverisë së tranzicionit që siguroi tërheqjen e Francës nga vendi.

Ndërsa edhe Bassoro Sylla, një prej organizatorëve, nënvizoi se festojnë largimin e Francës nga vendi dhe se në Mali ka një atmosferë feste.

Sylla tha se Franca nuk ka mundur të zgjidhë asnjë problem për kaq shumë kohë dhe vuri në dukje se nuk do të mund të zhvillohen teksa një ish-fuqi koloniale ndodhet ende në vendin e tyre.

Ndërsa edhe Aissata Cisse një prej protestuesve tha se Franca dhe forcat perëndimore duhet të vazhdojnë luftën kundër terrorizmit në kufijtë e tyre dhe se tashmë nuk i dëshirojnë këto forca në Sahel.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përpara Samitit BE-Afrikë që u mbajt në Bruksel më 17-18 shkurt, njoftoi se brenda 4 deri në 6 muaj do të tërheqin ushtarët e tyre në misionin Barkhane dhe Takuba në Mali.

Pas këtyre deklaratave, qeveria e Malit dha urdhrin që këto elementë të largohen menjëherë nga vendi.

Barkhane e cila ka 3 baza aktive dhe 2.400 ushtarë në Mali dhe Takuba e cila ka 900 ushtarë do të tërhiqen nga këto baza dhe do të vendosen në vendin fqinj Niger. /aa