Ballina Lajmet Kosovë Maqedonci e pret në takim shefin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura...

Maqedonci e pret në takim shefin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim Gjeneral Selçuk Bayraktaroglu, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë.

Maqedonci e ka cilësuar Turqinë si partner të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm të shtetit të Kosovës, duke theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive dhe ushtrive është rezultat edhe i urave të ndërtuara përmes kulturës dhe ekonomisë.

Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit, u diskutua për situatën e sigurisë në Ballkan dhe për thellimin e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Ndërkohë ai tha se gjeneral Bayraktaroglu siguroi se Ankaraja do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së, në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes si dhe në industrinë e mbrojtjes, përmes kompanisë shtetërore MKE dhe kompanive tjera turke.

Gjithashtu u bë e ditur se Maqedonci dhe Bayraktaroglu u dakorduan se Kosova ka vendin e saj të natyrshëm në NATO, ndërsa hapat e ndërmarrë në transformimin e FSK-së e bëjnë Kosovën një aleat të ardhshëm të vyer të Aleancës Euro-Atlantike.

Tags: Ejup MaqedonciGjeneral