Maqedonci zyrtares së NATO-s: Trupat ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën, kërcënim i vazhdueshëm

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqonci ka takuar sot Shefen e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe, të cilën e ka njoftuar për gjendjen e sigurisë në Kosovë.

Maqedonci ka theksuar faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit.

“Gjatë takimit gjithashtu biseduam për gjendjen e sigurisë në Kosovë, dhe theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s”, ka shkruar Maqedonci në një postim në Facebook.

Po ashtu, ministri thotë se ka ritheksuar që objektivi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që FSK-ja të ofroj kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes.

“Ndërsa ritheksova se objektivi ynë është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që FSK të ofroj kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, e për këtë po angazhohemi çdo ditë”, shtoi ai.