Është nënshkruar sot në Qeveri marrëveshja e huasë ndërmjet Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut – Transport dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerë prej 20,9 milionë eurosh për blerjen e lokomotivave elektrike, raporton Anadolu.
Me këto mjete do të blihen lokomotiva elektrike me pjesë rezervë, me qëllim rritjen e transportit të mallrave dhe gjenerimin e të ardhurave për ndërmarrjen.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, e cila u mbajt në Qeveri, morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, shefi i Zyrës së BERZH-it, Fatih Turkmenoglu dhe drejtori i Hekurudhave Transport, Dejan Koshutiq.
Kryeministri Mickoski tha se qëllimi i kësaj blerjeje është rritja e numrit të lokomotivave dhe e kapacitetit për transportin e mallrave. Ministri Nikolloski tha se me këtë hua do të blihen të paktën pesë lokomotiva të reja elektrike, duke shtuar se kjo do të ketë rëndësi thelbësore për rritjen e transportit hekurudhor të mallrave.
Ministrja Dimitrieska-Koçoska tha se marrëveshja është rezultat i negociatave intensive dhe konstruktive dhe përfaqëson konfirmim të besimit që institucionet financiare ndërkombëtare kanë ndaj vendit. Sipas Turkmenoglut, marrëveshja është investim jetik që do të mbështesë rinovimin e flotës hekurudhore të menaxhuar nga kompania hekurudhore e vendit.
Ndërsa drejtori Koshutiq tha se ngjarja e sotme përfaqëson një hap të rëndësishëm për sektorin hekurudhor dhe zhvillimin e infrastrukturës së transportit në vend.





