Autoritetet marokene kanë evakuuar më shumë se 50 mijë persona, pothuajse gjysmën e popullsisë së qytetit Ksar El-Kebir në veriperëndim të vendit, pasi përmbytjet e shkaktuara nga javë të tëra reshjesh të dendura rrezikuan përmbytjen e qytetit.
Sipas mediave shtetërore, niveli i ujit në lumin Loukkos u rrit ndjeshëm dhe përmbyti disa lagje, duke detyruar autoritetet të ndalojnë hyrjen në qytet dhe të lejojnë vetëm largimin e banorëve. Energjia elektrike u ndërpre në disa zona, ndërsa shkollat u mbyllën deri të shtunën.
Një banor lokal deklaroi se qyteti është kthyer në një “qytet fantazmë”, me tregje dhe dyqane të mbyllura, ndërsa shumica e banorëve janë larguar ose janë evakuuar.
Zyrtarët thanë se përmbytjet u shkaktuan pjesërisht edhe nga lirimi i ujit nga diga Oued Makhazine, e cila kishte arritur kapacitetin maksimal. Qyteti Ksar El-Kebir ndodhet rreth 190 kilometra në veri të kryeqytetit Rabat.
Ushtria marokene ka angazhuar njësi shpëtimi, mjete transporti, pajisje dhe personel mjekësor për të ndihmuar në operacionet e evakuimit. Mediat shtetërore transmetuan pamje të shpëtimit ajror të personave të bllokuar nga uji në zona përreth.
Në rajone të tjera, përfshirë Sidi Kacem, autoritetet evakuuan disa fshatra për shkak të rritjes së nivelit të lumenjve dhe forcuan brigjet me thasë rëre dhe barriera mbrojtëse.
Reshjet e shumta kanë ndihmuar në përfundimin e një thatësire shtatëvjeçare në Marok. Sipas të dhënave zyrtare, niveli i mbushjes së digave në shkallë kombëtare ka arritur afro 62 për qind, ndërsa disa rezervuarë kryesorë janë mbushur plotësisht. /mesazhi








