“Marrëdhënia ndërmjet Kanadasë dhe Shqipërisë është e fortë dhe mbështetet te partneriteti”

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melanie Joly, ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është takuar me homologen e saj Olta Xhaçka, në selinë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, raporton Anadolu.

Pas takimit, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Xhaçka, dhe ministrja kanadeze Joly mbajtën një deklaratë të përbashkët, duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, luftën Rusi-Ukrainë, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe çështje të tjera.

– “Kontributi i Kanadasë në arenën ndërkombëtare është rritur dukshëm”

Ministrja Xhaçka theksoi se me homologen e saj ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me interes të përbashkët dhe mundësitë për të rritur praninë kanadeze dhe investimet kanadeze në Shqipëri.

“Vitin e kaluar ne festuam 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve. Sot konstatuam me kënaqësi se marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kanadasë kanë njohur rritje të vazhdueshme dhe karakterizohen nga një frymë e konsoliduar e miqësisë dhe bashkëpunimit konstruktiv, bazuar në vlerat demokratike që ndajnë të dy vendet”, tha Xhaçka.

Ministrja Xhaçka thekoi se roli dhe kontributi i Kanadasë në arenën ndërkombëtare është rritur dukshëm.

“Në kushtet e sfidave të reja, të shkaktuara nga zhvillimet në Ukrainë dhe sfida e qartë dhe agresive ndaj vlerave e rendit ku ne besojmë, konstatuam nevojën për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin tonë dypalësh, me vendet e njëmendta, me partnerët dhe me NATO-n. I theksova ministres Joly solidaritetin dhe mbështetjen tonë me aleatët dhe partnerët, në kuadër të luftës së padrejtë dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë dhe ndikimit të saj në rajone të ndryshme, përfshirë rajonin tonë”, tha Xhaçka.

– “Marrëdhënia ndërmjet Kanadasë dhe Shqipërisë është e fortë dhe mbështetet tek respekti dhe partneriteti”

Ministrja Joly tha se vizita e saj në Shqipëri është një mundësi shumë e madhe për të rritur bashkëpunimin dhe theksoi se marrëdhënia ndërmjet Kanadasë dhe Shqipërisë është e fortë dhe mbështetet tek respekti dhe partneriteti.

“Në gjithë botën ne kemi parë rritje të autoritarizmit, gjithashtu edhe demokracitë në rrezik dhe qëllimi këtu është për të mbështetur demokracitë që ndiejnë luftën e pajustifikuar të Putinit ndaj Ukrainës dhe natyrisht ne jemi në anën e së drejtës”, tha ajo.

Kryediplomatja kanadeze theksoi se po punojnë së bashku me Shqipërinë edhe për iniciativa të përbashkëta, duke përfshirë edhe mbrojtjen e refugjatëve, sipas saj, sidomos afganët që kanë gjetur mbështetje në Shqipëri.

“Së bashku, forcat e armatosura të NATO-s dhe ato shqiptare po shërbejnë në Letoni dhe gjithashtu në forcën e NATO-s në Kosovë. Ne jemi gjithashtu së bashku duke mbështetur Ukrainën dhe qëndrojmë për të drejtat e njeriut në Iran”, tha Joly.

Joly u shpreh se do të fillojnë negocimin për një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve, që sipas saj është e rëndësishme për bizneset kanadeze që duan të investojnë në Shqipëri dhe gjithashtu për bizneset në Shqipëri që të kenë mundësi të punojnë me investitorë kanadezë.

“Unë besoj dhe Kanadaja beson që e ardhmja e Shqipërisë është në BE dhe Shqipëria është në rrugën e drejtë”, tha ministrja Joly.

Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, vizita e ministres Melanie Joly në Shqipëri dëshmon për intensifikimin e shkëmbimeve dhe dialogut politik të nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve.