MASHTI: Njerëz nga politika po bëjnë presion që të vazhdohet greva

Ministria e Arsimit i ka ftuar mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit që nga e hëna t’i kthehen punës duke filluar vitin e ri shkollor.

Përmes një postimi në Facebook, MASHTI ka thënë se e drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar, andaj, konform përgjegjësive, secili duhet t’i përmbushë obligimet ligjore që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore. Kjo është në interesin më të mirë të fëmijëve.

Shkruan se humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme për MASHTI-n dhe për gjithë shoqërinë.

“Kontributi i mësimdhënësve në arsim është i pazëvendësueshëm. Në vitet më të vështira kur shkollat ishin mbyllur, mësimdhënësit nuk u ndalën duke vazhduar punën nëpër shtëpi-shkolla vetëm e vetëm që fëmijëve të mos u ndërpritej shkollimi. Ishin këto vitet e sakrificës, kur në kushte të okupimit, u mobilizua e gjithë popullata në vend dhe në diasporë për të siguruar paga modeste për mësimdhënësit. Qeveria e Republikës së Kosovës, duke qenë e vetëdijshme për inflacionin e lartë të shkaktuar nga faktorë që janë jashtë ndikimit tonë, tashmë ka ndarë një shtesë prej 50 eurosh në muaj për të gjithë zyrtarët publikë dhe besojmë se kjo është në kufijtë e mundësive aktuale në Republikën tonë”, thuhet në thirrjen e MASHTI-t.