Fletëvotimet, kutitë dhe kabinat e votimit janë shpërndarë të shtunën nga Qendra e Numërimit dhe Regjistrimit në Fushë-Kosovë drejt 38 komunave të Kosovës, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Bartja e 1 milion e 752 mijë e 650 fletëvotimeve është bërë nën masa të rrepta sigurie e me përcjellje nga Policia
Prania e numrit të madh të policëve është pjesë e parapërgatitjes për nisjen e një pune me rëndësi të madhe.
Kamionët e renditur janë të gjithë të ngarkuar me material zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, kutitë dhe kabinat e votimit për zgjedhjet parlamentare të së dielës së 9 shkurtit.
Prej Qendrës së Numërimit dhe Regjistrimit në Fushë-Kosovë, secili kamion u përcoll me ekipe policore për bartjen e materialit zgjedhor nëpër krejt komunat e Kosovës.
E prej aty, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se materiali do të shpërndahet mëngjesin e hershëm të së dielës nëpër qendra votimi.
“Ky material zgjedhor është dërguar në 38 qendrat komunale dhe pastaj në orët e hershme të mëngjesit të ditës së diel do të shpërndahen nëpër të gjitha qendrat e votimit, të cilat do të hapen në orën 07:00”, tha Elezi.
Palestra “1 Tetori” është Qendra Komunale e Numërimit për Prishtinën. Aty stafi që përkujdeset për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor i pranoi kabinat e votimit dhe ngjyrën për shënjimin e votës.
Me vendim të KQZ-së, për zgjedhjet e së dielës janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664,100 janë për votim në vendvotime të rregullta; 28,450 për vota me kusht; 38,650 për votim të personave me nevoja të veçanta si dhe fletëvotime rezervë; e 21,450 janë për votim nëpër përfaqësi diplomatike.
“Numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1,970,944. Pra, të gjithë këta janë të shpërndarë në 903 qendra të votimit, ku do të zhvillohet procesi i votimit të rregullt me 2533 vendvotime”, tha Elezi.
Në secilën prej 38 komunave të Kosovës, do jetë në dispozicion nga një qendër e votimit me kusht.
Zgjedhjet e së dielës janë të parat që do të mbahen, pas ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që sjell disa ndryshime në proces. Në kuadër të tyre, qytetarët do të mund të zgjedhin nga 10 kandidatë për deputetë, ndryshe prej 5, sa kanë mundur në zgjedhjet e kaluara.
Është larguar edhe heshtja zgjedhore, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Me ligjin e ri, heshtje zgjedhore konsiderohen vetëm orët sa janë të hapura qendrat e votimit.