Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mbahet seanca gjyqësore për çështjen ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta

Mbahet seanca gjyqësore për çështjen ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta

Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) është mbajtur sot seanca e radhës për çështjen ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim, raporton Anadolu.

GJKKO-ja ka konfirmuar se në seancën e sotme është vazhduar me relatimin nga prokurorët të kërkesës për gjykim.

Ndërkohë, raportohet se seanca e radhës për çështjen ndaj ish-presidenti Meta do të jetë javën e ardhshme dhe data pritet të konfirmohet nga gjykata.

Në muajt e fundit janë realizuar disa seanca për çështjen në fjalë, duke u shtyrë seancat paraprake për kalimin ose jo të çështjes për gjykim.

Gjithashtu, gjykatat në Shqipëri kanë rrëzuar edhe kërkesat e Metës për zëvendësimin e masës “arrest në burg”.

– Çështja ndaj ish-presidentit Ilir Meta

Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si “Kontrata e shërbimit CEZ-DIA” dhe për “kontrata lobimi në SHBA”, dhe aktualisht është në paraburgim.

Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.

Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.