Mbahet seanca plenare, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë

Kryetarët e Grupeve Parlamentare mbajnë sot mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. Mbledhja mbahet në sallën C-301, me fillim nga ora 09:00.

Pas përfundimit të kësaj mbledhje është paraparë të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të bëhet shqyrtimi i pikave të mbetura të rendit të ditës.

Ndërkohë Indeksonline mbrëmë ka raportuar se të pranishëm në këtë seancë nuk do të jenë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe pse në 25 pikat e rendit të ditës do të jetë votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë.

Ndryshe ka 25 ditë që në Kuvendin e Kosovës nuk është mbajtur asnjë seancë plenare. Ndërkohë çështja e Rezolutës së dialogut Kosovë-Serbi mblodhi të enjten përfaqësues të partive në vend por që as në këtë takim të pranishëm nuk ishin Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje

Rendi i ditës për seancën e sotme të Kuvendit:

Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017,
Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/ L-010 për Noterinë,
Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë,
Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/L-067 për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-063 për Hekurudhat e Kosovës,
Votimi në parim i Projektligjit nr. 06/L-084 për mbrojtjen e fëmijës,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-065 për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme,
Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/L-059 për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-035 për veprimtaritë hidrometeorologjike,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-038 për shërbimet postare,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale,
Votimi i Raportit vjetor i Autoritetit rregullator për ujëra për vitin 2017,
Votimi i Raportit vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2017,
Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2017,
Votimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2017
Votimi i Raportit vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2017,
Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2017,
Votimi i Raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2017,
Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2017,
Votimi i Propozim-vendimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit për Ndihmë Shtetërore,
Votimi i Propozimit të grupeve parlamentare të AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare,
Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit te RTK-së,
Votimi për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për (1) një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,
Votimi i Propozimit për zëvendësimin e dy (2) anëtarëve të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, mbështetur edhe nga 7 deputetët nënshkrues nga GP i AAK-së, në lidhje me shtesat e fëmijëve.