Mbërrijnë në Kosovë mërgimtarët që i mbijetuan aksidentit në Kroaci

Në orët e mbrëmjes në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës kanë arritur bashkatdhetarët që i mbijetuan aksidentit tragjik të dielës në Kroaci, derisa po ktheheshin nga Gjermania për në Kosovë.

Ishin nisur nga Gjermania për të ardhur në Kosovë, por udhëtimi i tyre u ndalua të dielën kur autobusi me të cilin po udhëtonin u aksidentua rëndë në Kroaci.

Dhjetë udhëtarë humbën jetën derisa mbi 40 prej tyre u lënduan nga të cilët dy më rëndë.

Mirëpo dy ditë pas tragjedisë së rëndë, një pjesë e këtyre udhëtarëve tashmë kanë arritur në Kosovë ku janë pritur në aeroport nga familjarët.

Një qytetar nga Deçani kishte dalë të presë në aeroport gruan e vëllait dhe djalin e saj, përcjell Telegrafi.

“Na është dukur kohë e gjatë t’i shohim që kanë shpëtuar. Edhe familjarët e mi kanë pasur lëndime por falë Zotit kanë shpëtuar. Ata jetojnë në Shtutgard prej shumë vitesh”, tregon familjari.

Derisa familjarët po prisnin më të dashurit e tyre, policia e Kosovës është kujdesur t’i freskojë ata me ujë.

Ndërsa në Aeroport janë parë edhe disa autoambulanca për të trajtuar të mbijetuarit që kanë nevojë për tretman mjekësor

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë dalë për t’i pritur në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës “Adem Jashari”, të mbijetuarit nga aksidenti në Kroaci.