Mbi 1 mijë civilë të vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus, raporton OKB-ja

Të paktën 1 417 civilë janë vrarë në Ukrainë që prej fillimit të pushtimit rus. Ky është raportimi i zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut të dielën.

Sipas këtij raportimi, 121 nga viktimat ishin fëmijë. 2 038 qytetarë të tjerë janë plagosur.

Shumica e viktimave civile të regjistruara u vranë me armë shpërthyese duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë dhe sulmet me raketa.

Shumë nga vrasjet ndodhën në pjesë të vendit të kontrolluara nga ukrainas, të cilat kanë pësuar bombardime të rënda nga forcat ruse – duke përfshirë zona në Ukrainën perëndimore larg vijave të frontit. Të paktën 67 nga vdekjet kanë ndodhur në republikat lindore të Donetsk dhe Luhansk, sipas deklaratës.

Ndërkohë OKB-ja shtoi se ka të ngjarë që numri i civilëve të jetë shumë më i lartë se ai i raportuar.

“Veçanërisht në territorin e kontrolluar nga qeveria dhe veçanërisht ditët e fundit, pasi marrja e informacionit nga disa lokacione ku kanë vazhduar armiqësitë intensive është vonuar dhe shumë raporte janë ende në pritje të vërtetimit,” thuhej në deklaratë. /euronews