Mbi 1 milion euro subvencion për Trepçën

Trepça Sh.A. do të përfitojë edhe 1.13 milionë euro nga gjithsej 3 milionë euro subvencione që Ministria e Ekonomisë ka ndarë për investimet dhe rimëkëmbjen e ndërmarrjes sivjet.

Kështu ka bërë të ditur zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku.

Marrëveshja u lidh sot mes kryeshefit në detyrë, dr. Enis Abdurahmani, dhe drejtorit pën ndërmarrjet publike, Valon Prebreza, në prani të Mjekut.

“Trepça si shoqëri aksionare po ristrukturohet për me i ngritë të hyrat, me i ulë shpenzimet dhe me u dhënë minatorëve pagë të dinjitetshme. Ndërmarrja pritet shpejt të miratojë një rregullore të pagave, që kompenson punëtorët në përpjesëtim me realizimin e planit të prodhimit dhe të hyrave si dhe i shpërblen me bonus kur e tejkalojnë planin”, shkroi Mjeku.

“Ndërkaq, Qeveria e Republikës së Kosovës po i jep Trepçës 20 milionë euro hua për investime në makineri bashkëkohore dhe qëndrueshmëri në punë, çka do të rritë prodhimin dhe efiçiencën e minierave”, shkroi mes tjerash ai.