Mbi 10 milionë njerëz në Kinë vuajnë nga sëmundja e Alzheimer

Më shumë se 15 milionë njerëz të moshës mbi 60 vjeç në Kinë vuajnë nga demenca, nga të cilët afro 10 milionë kanë sëmundjen e Alzheimerit, sipas një studimi të ri.

Studimi, i cili u publikua të mërkurën në Pekin përpara Ditës Botërore të Alzheimerit, tregon se Kina është bërë vendi me numrin më të madh të pacientëve me Alzheimer në botë, raporton gazeta shtetërore “Global Times”.

Sëmundja e Alzheimerit është lloji më i zakonshëm i demencës dhe më së shumti prek njerëzit në moshë të vjetër. Në Kinë, megjithatë, sëmundja po shfaqet edhe në një moshë gjithnjë e më të re.

“Të dhënat treguan se përqindja më e lartë e personave të diagnostikuar me sëmundjen Alzheimer për herë të parë ishte te njerëzit e moshës 60 deri në 79 vjeç, duke zënë 62.1% të totalit. Por personat me sëmundjen Alzheimer që janë nën 60 vjeç përbëjnë 21.3%, një shifër më e lartë se pacientët me sëmundjen Alzheimer në fazat e tyre të hershme të raportuara ndërkombëtarisht, që është midis 5 dhe 10%”, shkruan e përditshmja.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), demenca është term për disa sëmundje që ndikojnë në kujtesën, të menduarit dhe aftësinë për të kryer aktivitetet e përditshme.

“Sëmundja përkeqësohet me kalimin e kohës. Prek kryesisht njerëzit e moshuar, por jo të gjithë njerëzit preken me kalimin e moshës. Sëmundja e Alzheimerit është lloji më i zakonshëm i demencës”, sipas OBSH.

Aktualisht, më shumë se 55 milionë njerëz kanë demencë në mbarë botën, dhe mbi 60% e tyre janë nga vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndërsa çdo vit raportohen afro 10 milionë raste të reja, thuhet në studim.

Lu Lin, akademik nga Akademia Kineze e Shkencave dhe president i Spitalit të Gjashtë të Universitetit të Pekinit, ka thënë se aktualisht nuk ka asnjë ilaç specifik për sëmundjen e Alzheimerit.

Lu ka sugjeruar se stërvitja e duhur, gjumi adekuat dhe një mënyrë jetese e shëndetshme mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjes.

Më 21 shtator të çdo viti, Dita Botërore e Alzheimerit shënohet në mbarë botën si një përpjekje globale për të rritur ndërgjegjësimin për këtë sëmundje.