Mbi 175 vila u sekuestruan vetëm për dy ditë në Brezovicë, hetimi vazhdon tek zona e tretë me mbi 500 objekte

Për dy ditë radhazi në Brezovicë pati prani të madhe të zyrtarëve policorë të Kosovës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me zyrtarët policorë kanë realizuar operacionin e njohur si “Brezovica”.

I njëjti operacion u zhvillua edhe dje për orë të shumta.

I kontaktuar nga lajmi.net, prokurori Rasim Maloku, ka deklaruar se gjatë ditës së djeshme janë sekuestruar rreth 75 objekte, saktësisht vila të ndërtuara në këtë anë.

“Janë sekuestruar rreth 75 vila”,tha prokurori Maloku.

Ai gjithashtu konfirmoi se gjatë ditës së sotme nuk ka aksion të radhës në Brezovicë.

Për dy ditë radhazi në Brezovicë, Policia e Kosovës bashkë me zyrtarët nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë sekuestruar gjithsej mbi 175 objekte.

Sekuestrimi i këtyre objekteve u bë saktësisht në Brezovicë, në Zonën e II-të të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Këto objekte janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin, e kësisoj cilësohen si objekte “në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar”.

Edhe pse sot nuk ka aksion, së shpejti pritet që operacioni të zgjerohet për zonën e tretë me radhës të Parkut Kombëtar të Sharrit. Nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë bërë të ditur se janë në pritje të raportit për zonën e dytë e më pas të marrin një raport nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që më pas të veprojnë me organet kompetente.

Nga Prokuroria kanë theksuar se i gjithë sekuestrimi ka të bëjë me zona të ndara, për shkak të në zonën e parë nuk ka ndërtime, vetëm tek e dyta dhe e treta.

Por është pikërisht zona e tretë në Brezovicë, ku janë të ndërtuara mbi 500 objekte, kryesisht me vila.

Këto objekte thuhet të jenë ndërtuar “duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale të përshkruara më lartë”.

Ndryshe ka disa muaj që kur ka filluar ky aksion i njohur si “Brezovica”. Hetuesia këtë aksion e ka zhvilluar në shumë lokacione të vendit. Si të dyshuar në këto raste prapa grilave kanë përfunduar mbi 30 persona.

Të njëjtit po vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, teksa në anën tjetër Policia dhe Prokuroria kanë vazhduar me fazën tjetër të hetimeve, atë të sekuestrimit.