Mbi 200 gra janë prekur nga kanceri i gjirit gjatë këtij viti në Kosovë

Nga janari deri në tetor janë prekur 225 gra nga kanceri i gjirit. Këto të dhëna i ka bërë të ditur drejtori i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare, Dr. Ekrem Hyseni.

Hyseni deklaron se kanceri i gjirit është lloji më i shpeshtë i kësaj sëmundje në Kosovë, porse numri i tyre krahasuar me vendet e rajonit është shumë më i vogël, shkruan REL, transmeton Gazeta Shneta.

“Nuk është shqetësuese, ndonëse kemi nevojë ta fusim në funksion skreningun e kancerit të gjirit, dhe do të na ndihmonte që të zbulojmë edhe më herët, pasi zbulimi i hershëm është mjekim më i lehtë, kosto më të vogël dhe mjekimi shumë më efikas”, thotë Hyseni.

Ndërkaq, sa i përket furnizimit me barna për trajtimin e kancerit të gjirit, Hyseni thotë se prej vitesh është stabil sa i përket furnizimit me barna esenciale, pasi i është dhënë prioritet kësaj sëmundjeje.

“Sa i përket furnizimit me barna është stabil, me mungesë të vetëm një ilaçi prej vitesh, në mungesë të ofertimit të kompanive për të ofruar këtë ilaç. Pra, mund të them se pacientëve nuk u bie të shpenzojnë për këtë sëmundje, pasi i trajtojmë brenda klinikës”, shprehet Hyseni.