Më 14 mars në Mitrovicë u organizua një iftar madhështor, ku morën pjesë mbi 500 qytetarë. Iftari u mbajt në sallën e restaurantit “Va Piano”.
Ky iftar u shtrua nga humanisti me prejardhje nga Mitrovica, i cili jeton dhe vepron në Turqi, z. Mahmut Çınar me bashkëvendasit e tij.
Vendlindja është si një rrënjë e thellë në zemër. Edhe kur jeta të çon larg, në gurbet, ajo mbetet aty e gjallë, e fortë, e paharruar. Mund të ndryshojnë rrugët ku ecim, qytetet ku jetojmë, gjuhët që dëgjojmë çdo ditë, por kujtimi i vendit ku kanë lindur të parët nuk zbehet kurrë.
Familja mbetet drita që na udhëheq. Kujtimet me ta nuk i fshin as koha dhe as largësia. Ato janë forca që na mban në këmbë në ditët e vështira të gurbetit.
Në këtë frymë është edukuar humanisti shqiptar Mahmut Çınar!
Në këtë eveniment morën pjesë figura të ndryshme nga qyteti, ndërsa mbrëmja u shoqërua me një program të larmishëm kulturor dhe shpirtëror. Programi përfshiu recitim nga Kurani Famëlartë dhe dua plot shpirtërore, ilahi, ligjëratë dhe fjalime të dobishme, si dhe pika artistike me motive kombëtare.
E gjithë kjo përbëri një model të veçantë të një performance islame po edhe kombetare, duke reflektuar në mënyrë dinjitoze identitetin tonë shqiptar, islam dhe europian në të njëjtin piedestal.
Ndër pikat artistike u veçua edhe paraqitja e një vogëlusheje, mbesa e familjes legjendare Jashari nga Prekazi, e cila me interpretimin e saj emocionoi të pranishmit dhe e bëri këtë mbrëmje edhe më të veçantë dhe të paharrueshme.
Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për prezencën e tyre, si dhe hoxhallarët për miqësinë e kahmotshme Irfan Krasniqin, Hamit Kamberin, Sadik Avdiun dhe Besim Kurtin, së bashku me nxënësit e tyre, për kontributin dhe angazhimin në realizimin e këtij aktiviteti.








