Mbi mungesën e kritikës

Latif Mustafa

Të jesh kritik do të thotë të kesh një qëndrim të për botën, jetën dhe realitetin. Ky qëndrim është një lloj paradigme që mbindërtohet me kalimin e kohës. Qëndrim pa kompromis. Qëndrim që të bën ty autentik, autenticitet ky që mbetet i vazhdueshëm në kohësi. Të jep identitet dhe si i tillë të falë edhe dinjitet. Kritika është një analizë subjektive restrospektive ku njeriu para se ti flas botës i flet vetes. Po ku ta gjejmë guximin e ti flasim vetës. Kështu që më “mirë” të heshtim. Heshtja është flori apo jo?

Nga Latif MUSTAFA

Shpesh shquhemi për mungesë kritike. Kritikohemi për mungesë kritike. Kritika shpesh është e keqkuptuar, keqinterpretuar dhe normalisht e keqpritur. Në sensin më të përgjithshëm shoqëror apo në zhargonin e përditshëm gjuhësor kritika është identifikimi i të metave dhe dobësive të tjetrit. Për disa të tjerë, kritika është një shfryrje dufi, mllefi, shpërthim emocional ndaj tjetrit, mallkim dhe gjithçka personale që kemi me veten ta nxjerrim tek tjetri. Lidhur me këtë të fundit kritika shpesh nënkuptohet një lloj retrospeksioni subjektiv i mbartur dhe i parë tek tjetri. Kritika, më shumë se me fenomenin në gjuhën dhe zhargonin e përditshëm popullor, është identifikimi i dobësive dhe përmirësimit të tjetrit. Kohëve të fundit ka një trendi edhe më të fuqishëm, ku kritika shihet si moralizim, zotësi për shquarjen e mungesës së moralit tek tjetri.

Kritika në sensin akademik të tekstit është shtrirje e kuptimeve, interpretim dhe zbërthim i komplekseve semiotike të tekstit. Ajo është kërkim i mëtutjeshëm i autenticitetit të burimit të fakteve dhe mënyrës së argumentimit. Kritika në sensin e lëvizjeve shoqërore – fenomenologjike – është shqyrtimi i thukët i kontekstit dhe rrethanave kulturore, antropologjike dhe politike të shpërfaqjes së një fenomeni shoqëror. Shembull, në Maqedoninë e Veriut, kohëve të fundit kemi shpërfaqjen e fenomenit të kyçjes enorme të mjekëve në politikë. Është paradoksale. Si fenomen të tërheq vëmendjen dhe kureshtjen. Në anën tjetër kemi edhe ikje të madhe të mjekëve. Mjekët na ikin në dy anë. Në politikë dhe në perëndim. Ç’është puna me mjekët, a janë ata të vetmit që i kryejnë shkollat si duhet? A janë ata, me në fjalë, që e bëjnë shkollën me tamam prandaj edhe janë ambicioz dhe kompetent? Apo të qenit praktik dhe në mendje pragmatik i shtyn ata të zgjedhin rrugë më të shkurtra për të arritur qëllimet? Janë pyetje që kërkojnë një qëndrim kritik, qëndrim akademik dhe hulumtim terreni, kuptohet.

Kritika si nocion është me origjinë latine dhe nënkupton“të qenit as andej, e as këndej” disi e të qenit në mes. Mua kritika më duket sikur ecja me shkop në litar. Njashtu siç bëjnë akrobatët. Por kjo është veç një imazh mbi kritikun dhe kritikën.

Kritika, parasëgjithash, është mendim. Kurse mendimi është një hulumtim logjik, i suspenduar nga paragjykimet dhe emocionet. Kritika nuk ngjallë inat dhe mllef. Nëse ngjallë diçka të tillë atëherë ajo ka të bëjë veç me traumat dhe paragjykimet e subjektit i cili merret me kritikën por jo edhe kritikën në vete.

Kemi kritikë konstruktive dhe dekontruktive. Me të parën zakonisht i referohemi atij ligjërimi i cili ndërton, strukturon dhe kultivon diçka. Zakonisht në thelb duket se është e mirë por nganjëherë është impnuese dhe totalitare. Kritika dekonstruktuese është kritikë e cila zbërthen në mënyrë analitike pjesët e së tërës pa mundësi rikompozimi dhe ristrukturimi të copëzave të dekonstruktuara dhe hapërdarë në hapësirën mendore. Kritika dekonstruktuese zakonisht aplikohet mbi fenomenet, tekstet dhe gjërat të cilat me kohën kanë marrë pamje natyrshmërisht unike edhe pse janë konglomerat agregatesh. Kjo lloj kritike zakonisht prek edhe të “paprekurit”.

Një tjetër lloj i kritikës, por tashmë krejt i harruar në sirtarët e shpirtrave frikacak në labirinthet e zemrave të ngurrëta, është kritika politike. Kjo lloj kritike zakonisht përmban ligjërimin rreth shfaqjes, zhvillimit dhe orientimit të trendeve politike si organizim i përgjithshëm shoqëror, institucional dhe normativ. Kritika politike, në përgjithësi, është ndërtimi i një strukture mendimi që ka të bëjë me shkaqet dhe pasojat; mundësisht edhe parashikimin sociologjik të fenomenit pa rrëshqitje në historicizmash. Në kuptimin epistemologjik, kritika politike, ka të bëjë me gjetjen e arsyeve se si lindin idetë për një formë të organizuar të sistemit politik dhe shoqëror, përbrendësimi dhe themelimi i ligjeve dhe zakoneve dhe ecejaket e trajektores historike. Ajo shqyrton karakteristikat e një ideje që honepset, përbrendësohet dhe konceptualizohet. Në sensin më të ngushtë dhe më qenësor, kritika politike ka të bëjë, me rikujtimin ndaj publikut të gjerë mospërmbushjen e premtimeve politike të një subjekti apo sistemi politik në përgjithësi. Premtimi politik është premtim dhe e thënë publike e regjistruar, e regjistruar apo e paraqitur përmes ndonjë programi apo pamfleti politik.

Për dallim nga llojet e kritikave të tjera që janë ligjërim, kritika politike është veprim. Për t’u sforcuar argumenti dhe rëndësia e faktit, kritika politike është protestë dhe mospajtim. Ajo shpesh merr edhe trajta më të shtruara dhe depërtuese duke shkarë në revoltë dhe rebelim, madje-madje edhe në vandalizëm dhe shkatërrim. Por këto të fundit janë të rralla dhe paraqiten veç në situata kufitare historike kur kemi të bëjmë me rrëzim të regjimeve autoritare e totalitare.

A kemi kritikë? Nëse s’kemi, pse s’kemi? A e dimë se çfarë është kritika? Pas gjithë këtyre ndryshimeve dhe ngritje çmimesh, mos realizim premtimesh politike dhe degradim entropik të sistemit, ne akoma nuk kemi diçka kritike, qoftë përmes artit, tekstit, ligjërimit apo aksionit protestues? Njeriu kur nuk është kritik është kalkulues. Kur është kalkulues është profitabil dhe si i tillë botëvështrimi i vetëm i tij është dobia e çastit – pragma.

Kjo është dëshmi se sistemi është diçka më e fuqishme se sa fjala dhe pamundësia me dal jashtë sistemit dhe për ta parë gjendjen nga jashtë është thuaja e pamundur. Sistemi dhe organizimi i përgjithshëm pushtetor shëmb dinjitetin njerëzor duke filluar nga dinjiteti i akademikut e deri te punëtori i thjeshtë i krahut. Një filozof thotë nëse dëshiron të shohësh se kush të sundon, shih për çka dhe për kë ke frikë të flasësh. Sistemi të zhbën dhe të bjerrë dinjitetin nga brenda. Sistemi të bën të parëndësishëm nga jashtë të zhvelëroson në tërësi duke përpirë të gjitha dijet për ty. Legjitimitetin tënd si njeri, si qenie që frymon dhe profesionist, arrin ta kërkosh vetëm brenda disa qarqeve të mbyllura vicioze. Ky është një ngushëllim fatëkeq. Ngjashëm siç është ngushëllimi i akademike që krenohen me punimet e tyre që qenkan botuar diku në skaj të botës së tretë e këndej tundohet t’i thotë e ti shkruaj dy fjalë për shoqërinë e katandisur ku bën pjesë edhe ai. Të jesh kritik do të thotë të kesh një qëndrim të për botën, jetën dhe realitetin. Ky qëndrim është një lloj paradigme që mbindërtohet me kalimin e kohës. Qëndrim pa kompromis. Qëndrim që të bën ty autentik, autenticitet ky që mbetet i vazhdueshëm në kohësi. Të jep identitet dhe si i tillë të falë edhe dinjitet. Kritika është një analizë subjektive restrospektive ku njeriu para se ti flas botës i flet vetes. Po ku ta gjejmë guximin e ti flasim vetës. Kështu që më “mirë” të heshtim. Heshtja është flori apo jo? /koha.mk