Mbreti Charles III zgjedh Francën dhe Gjermaninë për vizitën e tij të parë shtetërore

Mbreti i Britanisë së Madhe, Charles III do të udhëtojë në Francë dhe Gjermani, që do të jetë vizita e tij e parë shtetërore që kur u ul në fron, transmeton Anadolu.

Charles III zgjodhi të dy vendet për të theksuar përpjekjet e Britanisë së Madhe për ndërtimin e urave me fqinjët e saj evropianë pas marrëdhënieve të tensionuara prej vitesh të shkaktuara nga Brexit-i.

Mbreti britanik dhe bashkëshortja e tij Camilla do të jenë në dy vendet më të mëdha të Bashkimit Evropian (BE) nga data 26 deri më 31 mars, ku do të priten nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai gjerman Frank-Walter Steinmaier, njoftoi sot Buckingham Palace.

“Vizita planifikon të lartësojë historinë dhe vlerat e përbashkëta të kombeve, angazhimin për mbrojtjen e mjedisit dhe bashkëpunimin në luftën në Ukrainë”, thuhet në deklaratë.

Kjo do të jetë vizita e parë shtetërore e një monarku britanik që nga viti 2015, pasi mbretëresha e ndjerë Elizabeth II ndaloi udhëtimet jashtë vendit për shkak të moshës.