Mbreti tha: Pse shërbëtori im është më i lumtur se unë…?

Hoxhë Vladimir Kera

Një mbret e pyeti ministrin e tij: “Pse shërbëtori im është më i lumtur se unë, unë jam i pasur në pushtet, kurse ai është i varfër.

Përkundër kësaj, fytyra e tij gjithmonë është e zbukuruar me buzëqeshje, kurse unë jam i brengosur?”

Ministri i tha: “Zbatojeni rregullin 99!”

Mbreti e pyeti: “Çfarë është ky rregull?”

Ministri i tha: “Dërgojeni dikënd që para derës tij t’i vendosë 99 monedha ari me një mesazh se i janë dërguar 100 monedha ari dhuratë!”

Kur shërbëtori i gjeti monedhat me mesazhin, të gjithë familjarët i nxori jashtë shtëpisë dhe gjatë gjithë natës e kërkoi një monedhë e cila po mungonte.

Të nesërmen në pallat erdhi i lodhur dhe i mërzitur. Në fytyrën e tij më nuk kishte buzëqeshje. E kishte një brengë shumë të madhe; si ta gjente monedhën e humbur!

Ai i harroi 99 monedhat e arit dhe krejt preokupimin e kishte si ta gjente monedhën e 100-të.

I këtillë është njeriu. Allahu i ka dhënë aq shumë begati saqë nuk mund t’i numërojë, kurse ai i shikon vetëm begatitë që nuk i ka.

Thotë Allahu i Plotfuqishëm në Kuran:
“E nëse doni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, atëherë nuk do të mund t’i numëroni. Njeriu, me të vërtetë, është zullumqarë dhe jomirënjohës.” (Kuran: Ibrahimi – 34)