Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së heq pezullimin e fluturimeve në mbarë...

Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së heq pezullimin e fluturimeve në mbarë vendin

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) e SHBA-së ka hequr pezullimin e fluturimeve në aeroportet në mbarë vendin, pasi një ndërprerje në sistemin e telekomunikacionit bëri që autoritetet të ndalonin përkohësisht fluturimet si masë paraprake, transmeton Anadolu.

Agjencia kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e fluturimeve në mbrëmje, pas asaj që sekretari i Transportit, Sean Duffy, e përshkroi si një “problem komunikimi”, duke shkaktuar pezullimin e fluturimeve në të gjithë SHBA-në për disa orë.

Pezullimi preku mijëra fluturime në mbarë vendin, përpara se autoriteti rregullator i aviacionit ta heq alarmin.

Duke folur në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, deklaroi se gjatë incidentit siguria e publikut nuk ishte vënë në rrezik.

“Dua ta ritheksoj këtë, gjatë gjithë kësaj situate, siguria e publikut nuk u rrezikua në asnjë moment”, u tha Mullin gazetarëve.

“Nuk kishte asnjë fluturim në rrezik. FAA arriti ta menaxhonte situatën. Ne vepruam me një masë të shtuar kujdesi”, shtoi ai.

I pyetur nëse ndërprerja mund të ishte shkaktuar nga një sulm kibernetik, Mullin tha se hetuesit janë ende duke shqyrtuar incidentin.

“Jemi ende duke e hetuar. Nuk po përjashtojmë asgjë”, tha ai.

Mullin sugjeroi se ndërprerja mund të ketë ardhur si pasojë e mbingarkimit të infrastrukturës së vjetër nga teknologjia e re, gjatë përditësimit të sistemeve.

“Ajo që duket deri tani është se, ndërsa sekretari Duffy dhe FAA po instalonin përditësime në sistem, ata po vendosnin pajisje dhe teknologji të reja, të cilat po e mbingarkonin sistemin e vjetër”, tha ai.

“Një situatë emergjente”

Duffy e përshkroi incidentin si “një situatë emergjente”, duke theksuar se nuk mund të parashikonte “çdo dështim katastrofik” që mund të ndodhte në rrjetin e vjetëruar të kontrollit të trafikut ajror.

Ai tha se ndërprerje më të vogla kishin ndodhur edhe më parë, por se nuk e kishte parashikuar një ndërprerje të përmasave të tilla.

Duke paralajmëruar se dështime të tjera janë të mundshme nëse nuk investohet në infrastrukturë, Duffy u bëri thirrje Kongresit dhe publikut që të mbështesin rindërtimin e sistemit.

“Do të ketë edhe raste të tjera të tilla, nëse populli amerikan dhe Kongresi nuk na thonë ta rindërtojmë sistemin”, tha ai.

Duffy pretendoi se pajisjet që kishin dështuar ishin “pajisje të vjetra të trashëguara nga sistemet e mëparshme”, duke paralajmëruar se “ato do të vazhdojnë të dështojnë”.

Ai bëri thirrje për një “rindërtim të plotë të sistemit”, duke vlerësuar se projekti do të kushtonte rreth 50 miliardë dollarë.

“Presidenti Trump është njeri që ndërton”, tha Duffy, duke argumentuar se presidenti nuk mund ta realizojë këtë projekt pa financimin e Kongresit.

Incidenti me anijen turistike në New Orleans nuk ka lidhje me ngjarjen

Mullin foli gjithashtu për një incident tjetër të ndodhur të premten, ku një anije turistike u godit nga një cisternë në lumin Misisipi, në New Orleans.

Ai tha se përplasja dhe ndërprerja e fluturimeve në mbarë vendin “nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me njëra-tjetrën”.

“Të 195 personat janë identifikuar dhe janë llogaritur. 32 prej tyre ndodhen në spital”, tha Mullin, duke shtuar se asnjëri prej personave të shtruar në spital nuk ishte në gjendje kritike.

Ai e cilësoi përfundimin e incidentit si “një mrekulli”.