Flet negociatorja kryesore e Bin Salman, Manal Radwan
Arabia Saudite kërkon një arkitekturë të re sigurie në Lindjen e Mesme, ku edhe Irani të jetë pjesë e dialogut rajonal, por pa lejuar ambicie hegjemoniste dhe ndërhyrje përmes grupeve të armatosura.
Në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, Manal Radwan, këshilltare dhe e dërguar e posaçme e ministrit të Jashtëm saudit për negociatat dhe paqen, shpjegon qëndrimin e Riadit për marrëdhëniet me Teheranin, rolin e SHBA-së dhe konfliktin në Jemen.
Ajo flet gjithashtu për kërcënimet ndaj lundrimit ndërkombëtar, marrëdhëniet me Izraelin dhe të ardhmen e sigurisë në Gjirin Persik. Sipas saj, stabiliteti rajonal kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare.
Princi i kurorës Mohammed bin Salman pritet të vizitojë Italinë. Për çfarë do të bisedojë me kryeministren Giorgia Meloni?
Do të jetë një mundësi për të forcuar partneritetin e qëndrueshëm mes dy vendeve tona dhe për t’i shprehur mirënjohjen Italisë për mbështetjen që i ka dhënë Mbretërisë në këto momente të vështira. Italia ishte ndër vendet e para që mbështetën përpjekjet tona për sigurinë detare, qeverinë legjitime të Jemenit dhe frenimin e sulmeve të huthitëve.
Sipas disa raportimeve, Arabia Saudite mund të ndërmjetësojë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. A është ky një rol që po merr përsipër Riadi?
Aktualisht ne luajmë një rol mbështetës. Ne lehtësojmë dhe nxisim rifillimin e kanaleve të drejtpërdrejta të komunikimit. Njëkohësisht, shfrytëzojmë marrëdhënien tonë strategjike me Shtetet e Bashkuara për t’i nxitur të dyja palët të rikthehen në tryezën e negociatave.
A është e mundur të krijohet një arkitekturë sigurie rajonale ku të përfshihet edhe Irani?
Objektivi duhet të jetë krijimi i një rajoni ku konfliktet të mos përsëriten vazhdimisht. Ne nuk synojmë të kundërshtojmë ndikimin e Iranit si të tillë.
Ajo që kundërshtojmë është çdo prirje hegjemoniste, qoftë kur ushtrohet drejtpërdrejt nga Irani, qoftë përmes grupeve të tij të ndërmjetme apo partnerëve në rajon. Besojmë se edhe plani saudit, Vision 2030, i cili synon transformimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, mund të shërbejë si model për Iranin.
Cili është qëndrimi i Teheranit ndaj kësaj ideje?
Sipas pikëpamjes iraniane, një arkitekturë sigurie duhet të përfshijë vetëm vendet e rajonit, pa praninë e aktorëve ndërkombëtarë. Për ne, një qasje e tillë nuk është as e qëndrueshme dhe as praktike.
A mbetet ende e vlefshme udhërrëfyesja e negociuar me huthinjtë për zgjidhjen e konfliktit në Jemen?
Për ne, ajo mbetet ende në tryezë. Huthinjtë e kishin pranuar, por nuk e kanë zbatuar kurrë. Ata besojnë se mund ta pushtojnë të gjithë Jemenin me forcë dhe të sillen si ngacmuesit e rajonit, duke kërcënuar tregtinë globale dhe lirinë e lundrimit në Ngushticën e Bab el-Mandebit.
A e ka nxjerrë kjo luftë Arabinë Saudite më të cenueshme nga sa mendohej?
Ne kemi treguar se dimë të rezistojmë. Përballemi me sulmet terroriste të huthinjve kundër infrastrukturës sonë civile, qyteteve dhe aeroporteve. Megjithatë, asnjë vend nuk është plotësisht i mbrojtur nga terrorizmi.
Pas sulmeve të përsëritura, përfshirë ato kundër Mbretërisë, pritej një përfshirje më e drejtpërdrejtë e SHBA-së kundër huthinjve…
Nuk është e vërtetë që Uashingtoni nuk e ka respektuar angazhimin e tij për sigurinë e Mbretërisë.
Megjithatë, ndërhyrja amerikane nuk ndodhi dhe sulmet vazhdojnë. Pse?
Por si duhet të ndërhyjnë amerikanët? Është qeveria jemenase ajo që lufton kundër huthinjve, ndërsa ne mbrojmë Mbretërinë. Besoj se ky perceptim vjen nga pritshmëri për veprime që nuk janë kërkuar asnjëherë.
Sa e rëndë është situata humanitare në Jemen?
Kostoja njerëzore është e papërshkrueshme, veçanërisht në zonat e kontrolluara nga huthinjtë. Në Taiz ata kanë vendosur një rrethim të plotë, duke bllokuar furnizimin me ushqime dhe ilaçe.
Edhe Arabia Saudite është goditur nga sulmet iraniane. Prania ushtarake amerikane në vend ju mbron apo ju ekspozon ndaj rreziqeve të tjera?
Mes 60 dhe 80 për qind e sulmeve kanë goditur civilët dhe infrastrukturën civile, pa pasur asnjë objektiv ushtarak.
A do të ndryshonte diçka për Riadin nëse Izraeli do të kishte një qeveri pa Benjamin Netanyahun?
Ky është një vendim që u takon vetë izraelitëve. Ajo që ne shpresojmë është që Izraeli të ketë një qeveri që vendos në krye të axhendës së saj një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, e cila garanton të drejtat legjitime të palestinezëve. Vetëm kjo mund të sigurojë realisht sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit.
Si duhet të administrohet Ngushtica e Hormuzit, nëpër të cilën kalonte një pjesë e madhe e naftës suaj?
Në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të lundrimit.
A mund ta imagjinoni që ngushticat të kontrollohen nga shtetet e rajonit dhe të vendosen tarifa për kalimin e anijeve?
Një gjë e tillë do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. /tesheshi





