Ballina Lajmet Kosovë Mbyllet afati, 140 zyrtarë nuk e deklarojnë pasurinë – APK paralajmëron 30%...

Mbyllet afati, 140 zyrtarë nuk e deklarojnë pasurinë – APK paralajmëron 30% gjobë nga paga

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka bërë të ditur se mbi 10 mijë e 200 zyrtarë publikë kanë deklaruar pasurinë e tyre brenda afatit ligjor për vitin kalendarik 2025, ndërsa rreth 140 të tjerë nuk e kanë përmbushur këtë obligim.

Në një përgjigje për Telegrafin, Agjencia theksoi se procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 është zhvilluar në përputhje me afatet e përcaktuara ligjore, duke filluar më 1 mars 2026 dhe përmbyllur më 31 mars 2026.

Megjithatë, jo të gjithë e kanë respektuar afatin. Sipas Agjencisë, “bazuar në të dhënat më të fundit të njësive përkatëse të nxjerra nga sistemi më 1 prill, rezultojnë rreth 140 zyrtarë që nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor për deklarim të pasurisë deri në përmbylljen e afatit më 31 mars 2026”.

APK shton se këto të dhëna janë ende preliminare dhe mund të ndryshojnë pas përfundimit të verifikimit.

Agjencia tutje ka bërë të ditur se nuk parashihet shtyrje e afatit për deklarim.

“Korniza ligjore që rregullon procesin e deklarimit të pasurisë nuk parasheh afat shtesë për përmbushjen e këtij obligimi pa pasoja juridike, ndërsa afati përfundimtar ka qenë 31 marsi”, thuhet në përgjigje.

Sa i përket masave ndëshkuese, APK theksoi se në përputhje me kompetencat e saj ligjore, tashmë ka filluar ndërmarrjen e veprimeve përkatëse ndaj zyrtarëve që nuk e kanë përmbushur obligimin në afat, duke përfshirë inicimin e procedurave për shqiptimin e gjobave.

“Gjoba në vlerë prej 30% të pagës mujore aplikohet për të gjithë zyrtarët që nuk kanë respektuar afatin ligjor”, ka njoftuar APK.

Në rast se obligimi nuk përmbushet as pas masave administrative, paralajmërohen edhe pasoja më të rënda.

“Në rastet kur obligimi nuk përmbushet edhe pas 15 ditësh dhe pas shqiptimit të masave administrative siç është gjoba, Agjencia procedon me hapat e mëtejmë ligjorë, përfshirë përgatitjen e kallëzimeve penale për organet kompetente, ndërsa kjo mund të rezultojë me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe konfiskim të pasurisë së fituar në kundërshtim me ligjin” thuhet në përgjigje.

Agjencia shtoi se çdo rast trajtohet në përputhje me dispozitat ligjore dhe, nëse ka bazë të mjaftueshme, procedohet me kallëzime penale, si dhe njoftohen institucionet relevante si Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana e Kosovës.