Ka përfunduar super derbi anglez mes Liverpoolit dhe Manchester Cityt.
Pavarësisht që u shënuan katër gola, në fund nuk kishte fitues, me ndeshjen që përfundoi me rezultat 2 – 2, shkruan lajmi.net.
Pjesa e parë përfundoi ashtu siç nisi, ngase asnjëra skuadër nuk i konkretizoi rastet.
Phil Foden kishte dy mundësi të mira, por Alisson Becker ishte gjithmonë në vendin e duhur.
45-minutëshi i dytë ishte i ‘çmendur’ ku u shënuan plotë katër gola.
Liverpool së pari kaloi në epërsi përmes Sadio Mane që u asistua për mrekulli nga Mohamed Salah (59′).
Pas 10 minutave, Man City barazoi rezultatin me anë të Phil Foden, që shënoi nga një pozitë jo e favorshme pas një asistimi të Gabriel Jesus (69′).
Sidoqoftë, shtatë minuta më vonë, Liverpool gjeti sërish golin, këtë herë përmes Salah që dribloi mes tre lojtarëve dhe e dërgoi topin në rrjetë (76′).
Por, vetëm pesë minuta më vonë, Kevin de Bruyne në mënyrë fenomenale barazoi rezultatin me një supergol (81′).
Kështu, Liverpool tani renditët në pozitën e dytë me 15 pikë, një më shumë se Man City që renditët në pozitën e tretë me 14 sosh.