Para pak ditësh duke biseduar për dhe rreth luftës së 2001-shit, me disa miqë, njëri nga ata tha një fjalë shumë interesante. Ndërsa zhvillohej biseda, duke evokuar kujtimet, veprimet, aktivitetet dhe ngjarjet para luftës së 2001-shit, pastaj duke e komentuar dhe analizuar periudhën deri sa zhvillohej lufta, përfytyrohej se si është e mundur që disa muaj granatime, bombardime e luftime, në një perimetër kaq të ngushtë, siç ishte Sllupçani, epilogu të jetë me aq pak të vrarë.
Vazhdoi biseda duke rrëfyer, çdo ditë lajmëroheshin shokë, farefis e të tjerë nga qyteti, dhe nga vende të tjera, duke na pyetur se a mbeti ndonjë i gjallë?! Përgjigja ishte, sot askush nuk është vrarë! Vërtetë habiteshin, si është e mundur që askush s’është vrarë, kurse ne po e shohim Sllupçanin të mbuluar në tym e flakë!
Kjo skenë vazhdoi me muaj të tërë në verën e vitit 2001 përderisa zhvillohej lufta. Normalisht që pati të vrarë, edhe nga radhët e ushtrisë UÇK-së, të plagosur dhe të vrarë nga radhët e popullatës civile. Të gjithë Zoti i pastë mëshiru dhe qofshin në gradat më të larta të dëshmorëve.
Idea ishte që nuk kemi dëgjuar për ndonjë luftë aq të ashpër, aq të egër, aq të padrejtë, aq joproporcionale e që të ketë aq pak viktima për disa muaj rresht, duke e pasur parasysh intensitetin e madh të granatimeve nga toka dhe ajri me gjithë maqinerinë luftarake shtetërore dhe mbështetjen nga shtete tjera.
Njëri nga shokët tha: o miqë, UÇK-ja dhe shqiptarët ishin në vendin e vet, në truallin e vet, në shtëpitë e veta, në vendlindjen e vet, dhe kanë qëndruar dhe luftuar për vendin dhe pragun e vet, dmth, kanë qenë plotësisht në të drejtën, kanë bërë luftë të drejtë, prandaj, Zoti pat vendosë çadër mbi Sllupçan…!
Bajram Ramadani