“Më mirë me u shkollu se me bo një problem”- rrëfimet e të rinjve që shkollohen në burg

Brenda Qendrës Korrektuese për të Mitur në Lipjan, të rinjtë përveç vuajtjes së dënimit përgatiten edhe për jetën jashtë.

Ndjekja e orëve mësimore me rregull është vetëm njëri ndër aktivitetet të cilat e mbushin rutinën e tyre.

Pavijoni i shkollës që gjendet përballë me Drejtorinë e burgut është i ndarë në shumë klasa, njëra ndër të cilat është e dedikuar si kabinet i Informatikës.

Aty i gjetëm rreth dhjetë prej tyre, duke ndjekur me vëmendje shpjegimet e profesorit.

Pa asnjë hezitim, ata folën para kamerës së Telegrafit, për të ndarë me të gjithë mendimet e tyre rreth shkollimit brenda kësaj Qendre.

Njëri 17 e tjetri 22-vjeçar ndjekin mësimin profesional brenda Qendrës Korrektuese për të Mitur në Lipjan.

“Duke marrë parasysh rrethanat, ne kemi ardhur për një problem këtu, e tash me u shkollu është shumë e mirë për neve. E kemi ndërpre shkollën e tash me vazhdu këtu është plus gjithmonë për neve”, thotë 22-vjeçari, i cili edhe pak muaj pritet të jetë në liri.

Fillimisht ata ishin skeptik për idenë e shkollimit brenda burgut.

“Si fillim njëherë nuk e kam marrë shumë të arsyeshme, por me kalimin e kohës tu i pa edhe tjerët tu u shkollu, pse mos me vazhdu edhe na shkollën”, shprehet ai.

Megjithëse në fillim informacionet për aktivitetet brenda ata i kishin të pakta, vazhdimi i shkollimit aty u bë i mundur për secilin me insistimin edhe të punonjësve të kësaj qendre.

“Ka ndiku stafi, oficerët edhe shoqëria, pa marrë parasysh ata që janë këtu na kanë thanë që duhet me u shkollu, ma mirë është me u shkollu se me bo një problem”, thotë ai.

Ata i mbanë shpresa që shkollimi brenda do tu ndihmojë shumë për të ardhmen.

Qendra Korrektuese për të Mitur në Lipjan

“Mendoj që ka me na ndihmu shumë në të ardhmen, për arsye se tash çdo send është me shkollën, me diplomat. Unë jam duke ndjek drejtimin informatikë, për arsye se më pëlqen informatika, më pëlqejnë kompjuterët”, thekson ai.

Shumë nga të burgosurit aty, fillimisht nuk e shihnin të nevojshme shkollimin brenda.

“Ideja për me u shkollu brenda Qendrës Korrektuese fillimisht nuk më është dukur interesant, por duke i pa rrethin shoqëror, angazhimin, stafin kemi ardh. Na ka bind rrethi shoqëror, familja, stafi, profesorët”, thotë ai.

Ata besojnë se kjo është një mundësi për një jetë më të mirë kur të dalin nga Qendra Korrektuese.

Qendra Korrektuese për të Mitur në Lipjan

“Na ndihmon mos me mbet mbrapa, me vazhdu aty ku kemi mbet”, beson ai.

Secili nga ta mund të zgjedh disa nga drejtimet, kryesisht profesionale për të ndjekur shkollimin e për tu përgatitur për jetën pas vuajtjes së dënimit.

“Me qef e kisha bo juridikun, se mendoj se është profesion i mirë”, thotë ai.

Askund nuk do tu shkruaj se shkollimin e kryen brenda burgut, pasi diplomat do të lëshohen nga shkollat e Lipjanit.

Shkolla në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan

Fillimi i një institucioni arsimor brenda një Qendre Korrektuese nuk ka qenë i lehtë.

Drejtori i Qendrës Korrektuese për të Mitur në Lipjan, Isuf Iberdemaj gjatë intervistës për Telegrafin dha detaje në lidhje me organizimin e mësimit aty.

“Në fillim edhe numri i nxënësve edhe mësimdhënësve ka qenë relativisht i vogël, por me kalimin e kohës dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Lipjanit gjithçka e ka marrë rrugën e vet të mbarë dhe tani zhvillohet normalisht si në të gjitha shkollat publike”, tha Iberdemaj.

Drejtori i Qendrës Korrektuese për të Mitur në Lipjan

Ai theksoi se në certifikatat e marra dhe dëftesat nuk figuron se ata e kanë kryer shkollën brenda burgut.

“Mund të llogariten si dy paralele të ndara të dy shkollave respektive, shkollës së mesme profesionale ‘Adem Gllavica’ dhe të shkollës së mesme të ulët ‘Smajl Luma’ në Lipjan. Aktualisht i kemi 21 nxënës, prej tyre janë 19 nga Qendra Korrektuese për të Mitur këtu dhe dy të tjerë nga Qendra me masë edukuese korrektuese e cila po ashtu gjendet në kuadër të Qendrës Korrektuese për të Mitur”, theksoi Ibërdemaj.

Përveç orëve të mësimit, ata kanë edhe shumë aktivitete të tjera me të cilat merren.

Sportet e ndryshme dhe puna në kopsht janë disa nga aktivitetet që ata i bëjnë brenda kësaj qendre.

Pastaj ka edhe projekte të tjera, si xhirime të dokumentarëve, njëri nga të cilët pritet të publikohet së shpejti.