Grupi mercenar rus Wagner ka njoftuar tërheqjen e tij nga Mali pas më shumë se tre vitesh e gjysmë pranë forcave qeveritare në këtë vend të Afrikës Perëndimore. Lajmi u bë i ditur të premten përmes një postimi në kanalin zyrtar të grupit në Telegram, ku Wagner pretendoi se kishte përmbushur misionin e tij kundër grupeve të armatosura në vend.
Sipas deklaratës, Wagner ka ndihmuar në rikthimin e kontrollit të qeverisë ushtarake mbi qendrat rajonale të vendit dhe ka eliminuar disa nga komandantët kryesorë të rebelëve.
Megjithatë, largimi i Wagner-it nuk do të thotë përfundim i pranisë ruse në Mali. Trupat ruse do të mbeten në vend nën emrin Africa Corps, një njësi tjetër paramilitare e mbështetur nga Kremlini, e krijuar pas grushtit të dështuar të Yevgeny Prigozhin kundër ushtrisë ruse në qershor 2023.
“Rusia nuk po humbet terren, përkundrazi, po mbështet Bamako-n në një nivel edhe më themelor,” thuhet në një deklaratë të Africa Corps, duke iu referuar kryeqytetit malian.
Gazetari i Al Jazeera-s, Nicolas Haque, raportoi nga Senegali fqinj se përveç trupave të Africa Corps, këshilltarë rusë të sigurisë po zëvendësojnë mercenarët në zonat ku këta të fundit janë tërhequr.
Eksperti gjerman Ulf Laessing nga Fondacioni Konrad Adenauer tha për Reuters se “angazhimi ushtarak rus në Mali do të vazhdojë, por fokusi mund të kalojë më shumë te stërvitja dhe pajisja e forcave vendase, dhe më pak te luftimet direkte me grupet xhihadiste”.
Sulmet e fundit dhe akuzat për abuzime
Ky ndryshim vjen në një kohë tensionesh të larta në Mali, pas një vale sulmesh nga rebelët që pretendohet se kanë vrarë mbi 100 ushtarë malianë dhe disa mercenarë.
Grupi i armatosur JNIM (Jama’at Nusrat al-Islam wal-Muslimin), i lidhur me Al Kaedën, mori përgjegjësinë për disa nga sulmet, përfshirë një në bazën ushtarake të Boulkessi në qendër të Malit, ku u vranë të paktën 30 ushtarë. Sipas burimeve lokale, ushtria është tërhequr nga baza.
Ndërkohë, raportohet se rebelë tuaregë të mbështetur nga Ukraina kanë sulmuar gjithashtu mercenarë rusë në vend. “Larg skenës së luftës Rusi-Ukrainë, në zemër të Afrikës, ukrainasit po mbështesin rebelët tuaregë që luftojnë mercenarët rusë,” tha Haque.
Forcat maliane dhe aleatët e tyre rusë janë gjithashtu nën akuzë për abuzime ndaj civilëve. Një sulm në shkurt ndaj një autokolone dyshohet se ka shkaktuar vdekjen e mbi 20 civilëve tuaregë, përfshirë fëmijë dhe të moshuar. /mesazhi