Merkel: Evropa të përcaktojë qartë interesat e saj të sigurisë

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se Evropa duhet të përcaktojë më qartë interesat e saj të sigurisë, pas tërheqjes së SHBA nga Afganistani.

“Amerika nuk është më e përgatitur pa kushte për të marrë një rol udhëheqës kudo në botë”, tha Merkel gjatë një diskutimi me përfaqësuesit e Institutit Izraelit për Studimet e Sigurisë Kombëtare (INSS) në Jeruzalem.

Merkel, e cila do të largohet nga detyra kur të formohet një koalicion i ri gjerman, po bën një vizitë lamtumire në Izrael.

Ajo mbërriti dje dhe u takua me kryeministrin Naftali Bennett, ku theksoi përgjegjësinë e qeverive të ardhshme gjermane për sigurinë e Izraelit dhe për një luftë të vendosur kundër antisemitizmit.

Duke folur para nisjes së saj, sot, Merkel theksoi “interesat e përbashkëta të sigurisë mes Evropës dhe Izraelit”.

Në përpjekjet për të frenuar programin bërthamor të Iranit, Merkel tha se bisedimet aktualisht ishin “në një fazë kritike”.

Ajo theksoi se ”zhvillimi i armëve bërthamore nga Teherani duhej parandaluar me çdo kusht”. /atsh