Mesazhi i Fundit i Bertrand Russell

Bertrand Russell

(Kjo deklaratë mbi Lindjen e Mesme është e datës 31 janar 1970 dhe u lexua në 3 shkurt, ditën që vdiq Bertrand Russell, përpara një takimi të Konferencës Ndërkombëtare të Parlamentarëve në Kajro.)
Faza e fundit e luftës së padeklaruar në Lindjen e Mesme bazohet mbi një keqkalkulim të thellë. Fushata ajrore e bombardimeve thellë në territorin e Egjiptit nuk do ta bindë popullsinë civile të dorëzohet por do të shtojë vendosmërinë e tyre për të rezistuar. Ky është mësim nga të gjitha bombardimet ajrore.
Vietnamezët që u rezistuan viteve të tëra të bombardimit të rëndë amerikan nuk qenë përgjigjur me kapitullim por me rrëzimin e më shumë avionëve armiq. Në vitin 1940 bashkëfshatarët e mi i rezistuan fushatës së bombardimeve të Hitlerit me një unitet dhe vendosmëri të pashembullt. Për këtë arsye, sulmet e tanishme të Izraelit do të dështojnë në qëllimin e tyre thelbësor, por në të njëjtën kohë duhen dënuar fuqimisht anekënd botës.
Zhvillimi i krizës në Lindjen e Mesme është edhe i rrezikshëm edhe edukativ. Për mbi 20 vite, Izraeli është zgjeruar me forcën e armëve. Pas çdo faze të këtij zgjerimit, Izraeli ka bërë thirrje për “arsye” dhe ka sygjeruar “negociata”. Ky është roli tradicional i fuqisë imperiale. Sepse ajo dëshiron të konsolidojë me sa më pak vështirësi atë që ka marrë me forcë tashmë. Çdo pushtim i ri bëhet baza e re e negociatës së propozuar nga fuqia, që injoron padrejtësinë e agresionit të mëparshëm. Agresioni i ndërmarrë nga Izraeli duhet dënuar, jo vetëm pse asnjë shtet nuk ka të drejtë të aneksiojë një territor të huaj, por për shkak se çdo zgjerim është një eksperiment për të zbuluar se edhe sa agresion do të tolerojë bota.
Qindra mijëra refugjatët anekënd Palestinës dhe përreth saj përshkruheshin së fundmi nga gazetari i Uashingtonit, I.F. Stone si “guri moral në qafën e çifutërisë botërore”. Shumë prej refugjatëve janë sot në dekadën e tretë të ekzistencës së rrezikuar në vendbanimet e përkohshme. Tragjedia e popullit të Palestinës është se vendi i tyre iu dha një populli tjetër nga një Fuqi e huaj për të krijuar një Shtet të ri. Rezultati ishte disa qindra mijëra njerëz të pafajshëm përjetësisht të pastrehë. Në çdo konflikt të ri, numri i tyre është rritur. Edhe sa kohë është e gatshme bota të durojë këtë spektakël të kësaj mizorie të pangopur? Është krejtësisht e qartë se refugjatët kanë të drejtën e atdheut prej të cilit janë përzënë dhe mohimi i kësaj të drejte është thelbi i konfliktit të vazhdueshëm. Asnjë popull në botë nuk do të pranonte të dëbohej në masë nga vendi i tij. Si mund t’i kërkohet popullit të Palestinës të pranojë një dënim që askush tjetër nuk do ta toleronte? Vendosja e përhershme dhe e drejtë e refugjatëve në atdheun e tyre është një element thelbësor i çdo marrëveshjeje në Lindjen e Mesme.
Shpesh na thuhet se ne duhet të simpatizojmë Izraelin për shkak të vuajtjes së hebrenjve prej nazistëve në Europë. Unë nuk gjej asnjë në këtë sygjerim asnjë arsye për të përjetësuar një vuajtje tjetër. Ajo që po bën Izraeli sot nuk mund të falet, dhe të përmendësh tmerret e të kaluarës për të justifikuar ato të së tashmes është hipokrizi e hapur. Izraeli jo vetëm dënon një numër të jashtëzakonshëm refugjatësh me mjerim. Jo vetëm që shumë arabë nën pushtim janë të dënuar me sundim ushtarak. Por Izraeli dënon edhe kombet arabe që kanë dalë së fundmi nga gjendja koloniale që të vazhdojnë varfërimin pasi kërkesat ushtarake fitojnë përparësi mbi zhvillimin kombëtar.
Të gjithë ata që duan të shohin fundin e gjakderdhjes në Lindjen e Mesme duhet të garantojnë që zgjidhja të mos përmbajë farën e një konflikti të ardhshëm. Drejtësia kërkon që hapi i parë drejt zgjidhjes duhet të jetë tërheqja e Izraelit nga të gjitha territoret e pushtuara në qershor, 1967. Një fushatë e re botërore është e nevojshme për t’i sjellë drejtësi popullit të shumëvuajtur të Lindjes së Mesme.

Burimi

https://www.connexions.org/CxLibrary/Docs/CX5576-RussellMidEast.htm?fbclid=IwAR3PqVD0o0hGbpy-Lmv0uoqCiFTHo43wtx8HN42Z_Vov_qGro1LTHiPIQww

Nga: Vehap Kola