Mësimi në distancë për shumë fëmijë mbetet i paarritshëm

Marigona Fazliu nga Prishtina, nënë e dy fëmijëve, të cilët vijojnë mësimin në shkollë fillore, thotë se fëmijët e saj nuk po mund ta ndjekin mësimin online sepse kanë mungesë të pajisjeve teknologjike.

Shkollat në Kosovë janë mbyllur që nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit të ri COVID-19.

Dhjetë ditë më vonë, Ministria e Arsimit vendosi që të mbahet mësimi në distancë.

“Ne nuk kemi pasur kompjuter. Vëllai im ma ka sjell një kompjuter, por ai është shumë i vjetër. Qe disa herë të dy fëmijët nuk po mund të kyçen, deri sa po hapet kompjuteri, po i duhet kohë shumë. Mandej unë i kam dy fëmijë dhe nganjëherë po kanë mësim që të dy në të njëjtën kohë me mësuesen në (aplikacionin) Zoom. I kam treguar mësueseve për hallin që kam, por nuk më kanë kthyer përgjigje”, thotë Fazliu.

10 % e nxënësve nuk kanë qasje në mësimin online

Fillimisht mësimi në distancë ka filluar përmes kanalit televiziv publik RTK për nxënësit e shkollave fillore. Tashmë po thuajse të gjithë mësuesit mbajnë mësim online edhe në nivele tjera të shkollimit.

Këto mësime mbahen përmes programeve të ndryshmeqë mund të shkarkohen në kompjuter ose telefona të mençur.

Aplikacioni më i përdorshëm mbetet Zoom ku më shumë se dy persona mund të komunikojnë përmes audios dhe videos. Ky aplikacion është duke u përdorur në shumë vende të botës për mësime online përkundër disa paralajmërimeve se mund të mos jetë komunikim i sigurt.

Në Kosovë janë gjithsej 345.540 nxënës. Sipas Lulzim Krasniqit, zyrtar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, vijueshmëria është në nivel të lartë, mbi 90%.

Krasniqi thotë se megjithatë sfidë mund të konsiderohet mungesa e pajisjeve teknologjike si dhe qasja në internet për shumë nxënës.