Mesxhid al-Aksa mesazh vendeve arabe: Si mund të afroheni me Izraelin?

Myftiu i Palestinës në hutben (adresimin) në faltoren e shenjtë Mesxhid al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar, gjatë namazit të xhumasë ka kritikuar vendet arabe të cilat së fundmi kanë ndërmarrë hapa për t’u afruar me Izraelin, raporton Anadolu Agency (AA).

Hutbeja e xhumasë u lexua nga Myftiu i Kudsit dhe Palestinës, Shejh Muhamed Husejin, i cili tërhoqi vëmendjen se shtetet arabe kanë filluar të afrohen me Izraelin.

“Teksa faltorja jonë gjendet nën okupim dhe ndotet nga çizmet e okupatorëve, si mund të afroheni me ta?”, tha Husejin.

Myftiu palestinez tha se Mesxhid al-Aksa u përket muslimanëve dhe si e tillë nuk do të ndahet, ndërsa u bëri thirrje palestinezëve të mos bien pre e provokimeve të Izraelit.

Husejin po ashtu dënoi sulmin terrorist ndaj dy xhamive në Zelandë të Re që la të vdekur 49 persona, ndërkohë që besimtarët falën namazin e xhenazes në mungesë për viktimat dhe bënë lutje.

Siç njoftoi Autoriteti i Vakëfeve Islame të Kudsit, organ nën kompetenca të Jordanisë që kujdeset për Mesxhid al-Aksanë, sot në namazin e xhumasë të pranishëm ishin mbi 40 mijë besimtarë.