Metodologjia

Hoxhë Justinian Topulli

Çdo fushë e mirëfilltë e dijes dallon nga sharlatanizma pikë së pari nga metoda shkencore që ajo ndjek ose jo. Kjo vlen edhe në fe. Ka shumë mënyra sesi mund të shpjegohet dhe përkufizohet metodologjia, por në thelb ajo ka të bëjë me ndjekjen e një rruge të caktuar për të arritur te synimi.

Në fjalorin e gjuhës shqipe ‘metodologjia’ përkufizohet si: “Tërësia e mënyrave dhe e mjeteve që përdoren për të studiuar e për të shpjeguar diçka.”

Metodologjia është korniza e përgjithshme e mënyrave, rregullave, teknikave dhe hapave që përdoren për të kryer një studim në mënyrë të rregullt dhe të verifikueshëm. Metodologjia është sistemi dhe arsyetimi i mjeteve dhe teknikave të studimit. Është mënyra e qasjes për të njohur në mënyrë sa më objektive diçka të caktuar.

Në institucionet akademike, një nga gjërat e para që merren në vlerësim, kur shqyrtohet një studim, janë pikërisht metodat apo metodologjia e përdorur. P.sh. në një tezë doktorature kapitulli i metodologjisë së përdorur, është nga të parët dhe më të rëndësishmit. Oponentët e studimit mund të mos bien dakord me përfundimet e studimit, por nëse studimi ka ndjekur një metodologji të saktë dhe të pranuar, ai vlerësohet dhe nuk rrëzohet, por nëse studimi nuk ka një metodë shkencore atëherë ai rrëzohet që në fillim dhe refuzohet, pa kaluar te përfundimet.

Në Islam rruga që ndiqet për të njohur dhe kuptuar një çështje të caktuar të fesë kalon përmes referimit tek disa burime bazike. Dy themeloret janë Kurani dhe Suneti, dhe pas tyre vijnë dy derivate bazike që janë Ixhmai (konsensusi) dhe Kijasi (analogjia), për të cilat ka miratim të plotë nga muslimanët sunij, si dhe disa burime të tjera dytësore, të cilat nuk është vendi të zgjatemi me to këtu.

Ajo që e dallon në thelb një musliman sunij nga një jo i tillë është pikërisht pranimi i këtyre parimeve bazike nga merret feja. Siç edhe shprehet Shejhul Islam Ibn Tejmije “Cilido që vepron sipas Kuranit, Sunetit dhe Ixhmait i përket grupit të Ehli Sunneh uel Xhemah.” Pra ajo që e përcakton në tërësi pozitën e saktë ose jo të dikujt, sipas besimtarëve muslimanë sunij, është pikërisht pranimi dhe ndjekja ose jo e këtyre parimeve, e këtyre burimeve.

Ndjekja e saktë e këtyre parimeve garanton në përgjithësi edhe saktësinë e përfundimeve, por jo në mënyrë absolute. Pra qëllon që dikush të gaboj në përfundime edhe nëse ndjek një rrugë të saktë hulumtimi, sepse në fund të fundit çdo njeri është i gabueshëm, pavarësisht përpjekjes së tij. Pra nëse dikush i pranon dhe i ndjek këto parime, ai është në rrugën e duhur, edhe nëse qëllon të gabojë. Po kështu vlen edhe e kundërta, që nëse dikush nuk ndjek këto parime nuk është në rrugë të drejtë, edhe nëse ia qëllon të saktës. Dhe kjo sepse ajo që kërkohet prej nesh para së gjithash është saktësia në ndjekjen e rrugës së duhur, ndërsa rezultati vjen pas kësaj dhe është produkt i kësaj ndjekjeje.

Një njeri që ndjek një rrugë të gabuar, përfundimet e tij do të jenë përgjithësisht të gabuar, por jo në mënyrë absolute, sepse mund të qëlloj që të jetë i saktë në ndonjë rast. Kështu që edhe pse sasia e përfundimeve të sakta ose të gabuara lidhet pa diskutim me metodologjinë e ndjekur, ajo që ka mbi të gjitha rëndësi është vetë ndjekja e rrugës së saktë, sepse vetëm përmes saj mund të arrihet tek përfundimet e sakta.

Përjashtimet nuk i prishin rregullat e përgjithshme, por i përforcojnë ato. Ky është një parim i njohur, i cili thotë se fakti që ekzistojnë disa përjashtime për rregulla dhe parime të caktuara, nuk do të thotë aspak se ato nuk aplikohen në shumicën e rasteve. Vetë fakti që ato quhen përjashtime do të thotë se mbeten të tilla dhe nuk përgjithësohen.

Me fjalë të tjera, nëse dikush ia qëllon të vërtetës dhe të saktës edhe pse ndjek në përgjithësi një rrugë të gabuar, nuk do të thotë se rruga e tij është e saktë në tërësi, dhe po kështu fakti që dikush që ndjek në përgjithësi rrugën e saktë, por qëllon që gabon, nuk do të thotë se rruga e tij në tërësi është e gabuar. Fakti që dikush gabon edhe pse ndjek një rrugë të saktë lidhet me një gabim të caktuar në zbatimin e metodologjisë së saktë, të cilin ai nuk ka mundur ta vër re ose ta kuptojë.

Për të dhënë një ilustrim të kapshëm për të gjithë, le të marrim shembullin e disa studiuesve amatorë shqiptarë që merren me etimologji. Pra e kemi fjalën për ata që merren me hulumtimin e origjinës së fjalëve. Disa prej tyre nisur nga bindja e gabuar se shqipja është burimi i të gjitha gjuhëve të botës, apo shumicës së tyre, tentojnë të shpjegojnë çdo fjalë të huaj që ka hyrë në shqip (dhe jo vetëm) dhe të cilave u dihet burimi nga cila gjuhë vijnë, t’i trajtojnë si fjalë me origjinë shqipe, duke i zbërthyer ato dhe shpjeguar transformimet e tyre me metoda kaotike, vetëm e vetëm për të arritur në një përfundim të paramenduar. Shpesh ata janë kaq qesharak në shpjegimet e tyre, sa përtej seriozitetit me të cilin ata i trajtojnë këto çështje, problemi më i madh dhe thelbësor i tyre është pikërisht mungesa e një metodologjie të saktë që duhet të ndjekin në fushën e etimologjisë. Edhe kur përdorin disa metoda të kësaj fushe, ata i keqpërdorin ato dhe spekulojnë kaq rëndë, sa çdo njeri që ka minimalen e të kuptuarit metodik akademik, e dallon se ka të bëjë me një sharlatanizëm fatkeq.

Dhe njerëz të tillë ka në çdo fushë të dijes, edhe në fe sigurisht. Këta mund të jenë enciklopedik në njohuritë që kanë, madje mund të jenë ekspert në fusha të tjera, por padija që ata shpalosin në fushat që nuk i njohin rrënjësisht që në metodat e tyre, tregon se janë vërtetë të padijshëm. Sepse dija në vetvete, nuk është një grumbull njohurish, sado e madhe qoftë ajo, por është njohuria e strukturuar dhe e renditur, sipas një metodologjia të mirëpërcaktuar.

Sigurisht një njeriu të thjeshtë apo atij që nuk e njeh një fushë të caktuar të dijes, një mediokër apo një sharlatan gojëtar, që ka njohuri të shumta, mund t’i duket i ditur dhe tepër i përgatitur kur e dëgjon, edhe pse një eksperti do t’i ngriheshin qimet e kokës përpjetë me ta dëgjuar atë.