Metropolitani grek: Zjarret pyjore dënim nga Zoti, për shkak se Tsipras është ateist

Peshkopi Metropolitan i Aigialia-s në Gadishullin Peloponezi, Amvrosios, pretendon se fatkeqësia natyrore me zjarret pyjore në afërsi të Athinës që shkaktuan vdekjen e të paktën 81 personave, ka ndodhur për shkak se kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, është një ateist, transmeton Anadolu Agency (AA).

Amvrosios, në një postim në llogarinë e tij në blog, tha se: “Fakti që Tsipras është një ateist, shkakton zemërimin e Zotit. Tsipras dhe miqtë e tij të tjerë ateistë janë përgjegjës të fatkeqësisë së përgjithshme. Mosnjohja e Zotit nga ata shkakton zemërimin e Zotit. Zjarri i madh nisi me një vetëtimë që goditi Malin Gerania. Ky është një mesazh i hapur që vjen nga qielli”.

Duke pretenduar se përveç zjarreve pyjore në Greqi po përpjetohen edhe ngjarje tjera “të çuditshme”, të tilla si goditja e autobusëve me pasagjerë nga vetëtima dhe vrasje e njerëzve të pafajshëm nëpër rrugë, Amvrosios tha se zjarret e përhapura në afërsi të Athinës “mund të ndalen duke iu lutur Zotit”.

Sipas tij këto probleme me të cilat po ballafaqohet Greqia, po përjetohen për shkak të devijimit të gjeneratave të reja nga rruga e Zotit.

“Aleksis Tsipras! Pa ndihmën e Zotit këto zjarre nuk mund të shuhen. Një fjali si ‘Zot na shpëto neve’, mund t’i shuante të gjitha zjarret”, tha ai.

Këto shprehje të Metropolitanit Amvrosios morën reagime nga njerëz të shumtë, si dhe nga kryepeshkopi i Greqisë, İeronimos.

Në një deklaratë nga Zyra e Kryepeshkopisë thuhet se shprehjet e Metropolitanit Amvrosios në lidhje me kryeministrin Tsipras janë “një rast i pikëlluar”.

“Zakonisht themi se këto janë mendime personale. Por edhe mendimet personale duhet të kenë një kufi. Zoti e nënkupton dashurinë, nuk bën hakmarrje”, thuhet në deklaratë.