MI: Të gjitha rrugët e kalueshme, kemi shpërndarë krip e rërë

Ministria e Infrsatrukturës ka njoftuar se mirëmbajtja dimërore e autoudhëve, rrugëve nacionale e atyre rajonale po vazhdon me intensitet të shtuar.

Reshjet e lehta të borës gjatë vikendit, kanë bërë që të ketë intervenime shtesë në pothuajse të gjitha rrugët e mirëmbajtura ngë Ministria e Infrastrukturës, por që kjo nuk ka ndikuar në krijimin e vështirësive në komunikacion.

Bazuar në raportin ditor të ditës së sotme, MI-ja informon si në vijim:

-Shkaku i mjegullës, temperaturave nën zero (-0) dhe borës, në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës është intervenuar me shpërndarje të kripës dhe rërës, me qëllim të parandalimit të ngricave mbi shtresën qarkulluese. Rrugët mbeten të lira për qarkullim në këtë pjesë.

-Bora nuk e ka penguar qarkullimin e lirë të automjetve as në rajonin e Pejës. Në këtë pjesë është intervenuar me largim të borës dhe shpërndarje së kripës sipas nevojës, duke theksuar intervenimet shtesë në viset malore të rrugës N9 Pejë-Kuçishtë-Bogë.

-Infrastruktura rrugore e rajonit të Ferizajt është krejtësisht e lirë për qarkullim, pa intervenime shtesë, apo ndonjë pengesë tjetër e krijuar shkaku i ndryshimeve atmosferike.

-Ndërkaq, sipas nevojës, po intervenohet me kripë edhe në rrugët e rajonit të Gjilanit.

-Në rajonin e Gjakovës është bërë shpërndarja e kripës në pothuajse të gjitha rrugët e mirëmbajtura nga MI-ja, si preventivë ndaj krijimit të ngricave dhe sigurisë në komunikacion. Nndryshe, të gjitha rrugët janë të lira për qarkullim.

-Në drejtimet Prizren-Carralevë, Prizren-Prevallë, Zhur-Dragash-Restelicë, Dragash-Brod dhe Tyrbe-Zaplluzhë të rajonit të Prizrenit, është intervenuar me shpërdarje kripe. Komunikacioni është duke u zhvilluar normal në këtë rajon dhe siguria mbetet stabile.

Bora nuk e ka penguar qarkullimin e lirë të automjetve as në autoudhët e Kosovës. Në drejtimin Suharekë-Morinë dhe Suharekë-Gjurgjicë të autoudhës “Ibrahim Rugova” dhe në autoudhën A6 Doganaj-Han i Elezit, po bëhet shpërndarja e kripës, me qëllim të parandalimit të ngricave mbi shtresat qarkulluese.

Ministria e Infrastrukturës do të vazhdojë t’ju mbajë të informuar për gjendjen e rrugëve, mirëmbajtjes dimërore të tyre, vështirësive eventuale dhe sigurisë në komunikacion.

MI-ja gjithashtu u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion për kujdes të shtuar dhe ruajtje të sigurisë gjatë sezonit dimëror.