Mianmari voton nën sundimin ushtarak pas grushtit të shtetit të vitit 2021, Rohingët të përjashtuar nga zgjedhjet

Myanmar's military chief Min Aung Hlaing shows his inked finger after voting at a polling station during the first phase of Myanmar's general election in Naypyidaw on December 28, 2025 [Sai Aung Main/ AFP]

Mianmari ka nisur të dielën zgjedhjet e para të përgjithshme që nga grushti i shtetit ushtarak i vitit 2021, me të cilin u rrëzua qeveria civile e udhëhequr nga laureatja e Çmimit Nobel për Paqe, Aung San Suu Kyi.

Procesi zgjedhor po zhvillohet në kushte të forta kufizimesh dhe vetëm në rreth një të tretën e 330 bashkive të vendit, për shkak të luftës civile të ashpër mes ushtrisë dhe forcave opozitare. Dy raunde të tjera votimi janë planifikuar për 11 dhe 25 janar, ndërsa zgjedhjet janë anuluar plotësisht në 65 bashki.

Sipas Al Jazeera, kjo nënkupton se të paktën 20 për qind e popullsisë është përjashtuar nga e drejta e votës. Në qytetin më të madh, Yangon, qendrat e votimit u hapën herët në mëngjes dhe u vu re pjesëmarrje e moderuar, kryesisht nga votues të moshës së mesme, me pak të rinj.

Vëzhguesit theksojnë se në fletëvotime ka shumë pak alternativa reale politike dhe shumica e partive janë të lidhura me ushtrinë.

Kombet e Bashkuara, organizatat për të drejtat e njeriut dhe partitë opozitare e kanë dënuar procesin, duke e cilësuar atë si jo të lirë, jo të drejtë dhe jo të besueshëm. Partitë kundër ushtrisë nuk marrin pjesë, ndërsa Aung San Suu Kyi vazhdon të mbahet në paraburgim dhe partia e saj, Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD), është shpërbërë.

Rohingyët të përjashtuar nga votimi

Komuniteti Rohingë musliman mbetet pothuajse tërësisht i përjashtuar nga zgjedhjet në Mianmar. Që nga viti 2015, atyre u është mohuar shtetësia, çka i pengon ligjërisht të votojnë, të kandidojnë apo të formojnë parti politike.

Ekspertët theksojnë se përjashtimi i Rohingëve është bërë pjesë e strategjisë politike, pasi partitë shpesh përdorin retorikë kundër tyre për të fituar mbështetje popullore. Si pasojë, zgjedhjet në Mianmar kanë thelluar më tej margjinalizimin e këtij komuniteti, në vend që të përmirësojnë të drejtat e tij. /mesazhi