Michel: Fokusi i Kosovës duhet të jetë dialogu

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se fokusi i Kosovës duhet të jetë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit që të zbatohen të gjitha marrëveshjet. Michel përshëndeti qëndrimin e Kosovës për vendosjen dhe implementimin e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Është një moment urgjence për Evropën. Derisa po flasim, Rusia vazhdon ta sulmojë Ukrainën. Dua t’iu falënderoj për pozitën e qartë për luftën në Ukrainë dhe për implementimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Lufta ka impakt në rajon, përfshirë Kosovë, në çmime të ushqimeve dhe energjisë. Ne patëm mundësinë të diskutojmë për marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe themi se Ballkani Perëndimor është një partner strategjik. Mirëpresim fokusin për implementimin e reformave dhe ato në çështjet kyçet, siç është sundimi i ligjit. Kemi diskutuar edhe për liberalizimin e vizave. Kam dëgjuar argumentet me kujdes dhe e dini që shtetet anëtare të BE-së duhet të vendosin në këtë çështje. Fokusimi i Kosovës duhet të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe të zbatohen të gjitha marrëveshjet”, ka thënë Michel të mërkurën në Prishtinë.

Michel shtoi tutje se javën e ardhshme do të takohet me 27 liderët e BE-së, ku u shpreh se do të jetë mundësia “që të shfaqet uniteti për vlerat tona të përbashkëta”.