Michel: Rusia po përpiqet të destabilizojë gjithnjë e më shumë Moldavinë

Moldavia është kthyer në një objektiv të operacioneve të inteligjencës ruse pasi Moska dhe përfaqësuesit e saj po përpiqen gjithnjë e më shumë të destabilizojnë vendin, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me presidenten moldave, Maia Sandu, në kryeqytetin Kishinau, Michel tha se Moldavia është ndikuar shumë nga lufta e Rusisë ndaj Ukrainës.

“Në muajt e fundit, Rusia dhe përfaqësuesit e saj janë përpjekur gjithnjë e më shumë të destabilizojnë vendin tuaj duke përdorur energjinë, sulmet kibernetike, organizimin e protestave dhe aktivitete të tjera përçarëse”, deklaroi Michel.

Duke shprehur mbështetjen e Bashkimit Evropian për Moldavinë, Michel tha se “dënojnë fuqishëm” këto përpjekje për të destabilizuar vendin.

“Këtyre kërcënimeve dhe luftës së Rusisë iu keni përgjigjur me guxim dhe vendosmëri, dhe ne kemi besim të plotë në aftësinë e qeverisë për të trajtuar të gjitha këto kërcënime”, shtoi ai.

Duke kujtuar se BE-ja ka mobilizuar 1 miliard euro vitin e kaluar për të mbështetur qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e Moldavisë, Michel më tej vuri në dukje se kjo tregon se BE-ja nuk po e mbështet vendin vetëm “vetëm me fjalë”, por me veprime.

Ai gjithashtu falënderoi presidenten Sandu për pritjen e refugjatëve ukrainas.

Sandu ndërkohë tha se vendi i saj po kalon kohë të vështira, por mbeti i përkushtuar ndaj parimeve të lirisë dhe demokracisë.

Ajo tha se integrimi me Evropën është mënyra e vetme për Moldavinë për të siguruar mbijetesën e vendit si një shtet i lirë dhe i begatë.

Moldavia është një vend kandidat për në BE dhe negociatat e pranimit duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, vuri në dukje Sandu.

Ajo shtoi se Moldavia ka zbatuar rekomandimet e Komisionit Evropian dhe po integron me shpejtësi ligjet evropiane në vend në përputhje me qëllimin për t’u bërë anëtare e BE-së.