Migrimi zbraz shkollat

Shkollat e mesme e kanë përfunduar vitin me rreth 7 mijë nxënës me pak krahasuar me tre vjet më parë. Në gjimnazin “Hamdi Berisha”, në Malishevë, nga 34 nxënës sa i pati një klasë në vitin e dhjetë, në ditën e diplomimit ishin vetëm 10. Të tjerët gjatë kësaj periudhe kanë shkuar me familje në vendet perëndimore. Mësimdhënësit thonë se ikja e nxënësve po ndikon negativisht në gjendjen emocionale te kohanikët e tyre, si dhe po ua rrezikon vendet e punës.

Një vit pasi është larguar me familje drejt Gjermanisë, Argëtim Mazreku është kthyer në shkollën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.

Kësaj here, ka ardhur për të takuar shokët dhe shoqet me të cilët i kaloi shtatë vjetët e parë të mësimit fillor.

“Kam ardhur këtu për shkak të shoqërisë, edhe shkollës që e kam pasur më herët, edhe më ka marrë malli. Mirë është atje, por më mirë këtu”, thotë shkurt 14-vjeçari, i cili nuk ndahet nga shokët me të cilët është rritur. “Të gjithë i kam shokë të mirë, atje nuk kam shokë njëjtë si këtu”.

Rrugës deri te klasa ku dikur i ka vijuar për shtatë vite mësimet, mësimdhënësit e përshëndesnin e i urojnë qëndrim të këndshëm në Kosovë.

E shoku me të cilin ka ndarë bankën, Leotrim Mazreku, tregon që në çdo ngjarje e manifestim që shënohet në shkollë, mundohet t’ia përcjell Argëtimit të gjitha detajet që të mbajnë të gjallë shoqërinë e tyre edhe në distancë.

Përderisa kohanikët e tij janë afër përfundimit të klasës së tetë, 14-vjeçari tregon se në Gjermani nuk arriti të fillonte menjëherë procesin mësimor. Fillimisht iu desh të ndiqte kurse për të mësuar gjuhën.