Milanoviç: Qëndrimet e Kroacisë dhe Turqisë ndryshojnë për çështjen e Ligjit Zgjedhor në Bosnje e Hercegovinë

Zoran Milanoviç

Presidenti kroat Zoran Milanoviç tha se qëndrimet e Kroacisë dhe Turqisë ndryshojnë për çështjen e Ligjit Zgjedhor në Bosnje e Hercegovinë (BeH), gjë që tregon se në vend të bisedimeve protokollare, është e nevojshme një bisedë e detajuar për të theksuar problemet dhe shqetësimet, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan të mbajtur pas takimit të zhvilluar në Zagreb, Milanoviç tha se ishte një nder të priste homologun e tij turk me një delegacion të madh zyrtarësh të lartë dhe krerë të institucioneve, gjë që ai tha se nënvizon marrëdhëniet e mira, konstruktive dhe të shëndetshme ndërmjet Kroacisë dhe Turqisë.

“Turqia i qëndroi pranë Kroacisë me mirëkuptim dhe mbështetje kur ishte e vështirë gjatë viteve të luftës në Bosnje e Hercegovinë, para fillimit të agresionit dhe mbrojtjes së Kroacisë. E di që ka kaluar shumë kohë dhe kjo është shumë prapa nesh, por sikur disa përshtypje po zbehen”, tha Milanoviç.

Ai theksoi se me presidentin turk ka biseduar për shumë tema, duke përfshirë situatën politike në Bosnje e Hercegovinë, luftën në Ukrainë, pozicionin e Turqisë dhe marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve.

Një nga temat kryesore të takimit mes dy liderëve ishte Ligji Zgjedhor në BeH, për të cilin Kroacia dhe Turqia kanë qëndrime të ndryshme.

Gjatë vizitës së tij në Sarajevë të martën, Erdoğan kundërshtoi ndërhyrjen e përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar Christian Schmidt në Ligjin Zgjedhor, ndërsa liderët e Kroacisë kërkuan disa herë ndryshime të kundërta nga ato që i bëri përfaqësuesi Schmidt, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Demokratik Kroat në BeH.

“Për më shumë se një vit, qeveria dhe unë jemi përpjekur, secili në mënyrën tonë, të korrigjojmë disa padrejtësi dhe shkelje të drejtpërdrejta të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila është baza e paqes dhe funksionimit të BeH-së, e cila në thelb është një marrëveshje për ndarjen e pushtetit. Marrëveshje tmerrësisht delikate, dhe çfarëdo që prekni në të ose hedhni mbi të, kërcënoni të gjithën”, tha Milanoviç.

Ai tha se qëndrimet kroate janë “vërtetimi i fakteve të zhveshura”, se kroatët janë më të paktët në numër, se ata janë një nga tre kombet themeluese dhe se çështjet në BeH duhet të zgjidhen vetëm me marrëveshje midis përfaqësuesve legjitimë, realë të kombeve themeluese.

“Në këtë kohë, në Bosnje e Hercegovinë jo të gjithë paraqiten si të tillë”, theksoi Milanoviç.

Ai theksoi se nuk e di se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet në BeH dhe çfarë do të bëjë përfaqësuesi i lartë, punën e të cilit e ka kritikuar.

“Këtu dallojmë unë dhe Erdoğan, Kroacia dhe Turqi. Por kjo tregon se na duhet një bisedë përmbajtësore, jo protokollare, por një bisedë e detajuar për të nxjerrë në pah problemet dhe shqetësimet që Turqia, për nga përmasat e saj, e ndoshta pak nga distanca, as që i di. Politika kroate është për një BeH e plotë, normale, me të cilën do të kemi një BeH funksionale, me të cilën Kroacia do të jetë e mirë, dhe BeH me Kroacinë, ndonjëherë edhe e mërzitshme. As kjo nuk është keq”, tha Milanoviç.

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, pas vizitës në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, sot me ftesë të kolegut të tij kroat, Zoran Milanoviç, ndodhet për një vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë.

Gjatë vizitës zyrtare të presidentit turk u nënshkruan disa marrëveshje ndërshtetërore, duke përfshirë memorandume mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Brendshme kroate dhe turke për sigurimin e rendit dhe paqes publike dhe bashkëpunimin në fushën e menaxhimit të fatkeqësive dhe krizave.

Erdoğan dhe Milanoviç do të marrin pjesë edhe në hapjen e Qendrës Kulturore Islame në Sisak, e më pas do të kenë fjalim në Forumin Ekonomik Kroato-Turk në Zagreb. /aa