Ministri finlandez i mbrojtjes: Lufta në Ukrainë mund të zgjasë shumë

Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Kaikkonen, shprehu shqetësime për kohëzgjatjen e luftës në Ukrainë, raporton Anadolu.

Duke folur me gazetarët përpara takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Kaikkonen theksoi se Ukraina është aktualisht e angazhuar në një luftë për liri.

“Kam frikë se kjo luftë do të zgjasë shumë”, tha ai, duke theksuar rëndësinë e ditëve dhe javëve të ardhshme.

Kaikkonen shtoi se një qeveri e re do të krijohet së shpejti në Finlandë dhe u zotua se Helsinki do të vazhdojë ta mbështesë Kievin.

Ministri finlandez vlerësoi gjithashtu përpjekjet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe shprehu mbështetjen për një zgjatje të mundshme të misionit të tij.

“Por jam i sigurt se ai do të donte të tërhiqej një ditë”, shtoi ai.

Ndërkaq, ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, u tha gjithashtu gazetarëve se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën.

“Ata (ukrainasit) e dinë se çfarë të bëjnë, ne i ndihmojmë ata. Le ta fitojnë luftën”, tha Pevkur, duke theksuar se Ukraina nuk duhet të vihet nën shumë presion.

Ministrja letoneze e Mbrojtjes, Inara Murniece, shprehu mbështetjen për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

“Ne vërejmë se Rusia po bën një luftë të pamëshirshme dhe agresive kundër Ukrainës”, tha ajo, duke shtuar se mbështetja për Ukrainën duhet të vazhdojë.