Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha të dielën se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është “në gjendje të mirë shëndetësore dhe vazhdon ta menaxhojë plotësisht vendin”, ndërsa përplasjet mes Teheranit dhe Washingtonit vazhdojnë në gjithë rajonin, transmeton Anadolu.
“Situata në Iran është stabile dhe të gjithë po kryejnë detyrat e tyre në pozicionet përkatëse”, i tha Araghchi gazetës me seli në Londër The New Arab (Al-Araby Al-Jadeed) në një intervistë që do të publikohet e plotë më vonë gjatë ditës.
Udhëheqësi suprem “është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po e menaxhon plotësisht vendin”, shtoi ai.
Araghchi tha se Teherani është i gatshëm të ulet me vendet e rajonit për të formuar një komision të përbashkët hetimor për të përcaktuar natyrën e objektivave që janë sulmuar dhe nëse ato kishin lidhje me SHBA-në.
Ai theksoi se sulmet e kryera nga Irani kishin në shënjestër “bazat dhe interesat amerikane në rajon”, si pjesë e kundërpërgjigjes së Teheranit ndaj sulmeve të nisura kundër Iranit nga ato baza.
Ministri tha se Teherani kishte marrë informacione që tregojnë se SHBA-ja dhe Izraeli po kryenin sulme nga lokacione të caktuara drejt vendeve arabe.
“Deri më tani nuk kemi shënjestruar asnjë zonë civile apo banimi në vendet e rajonit”, shtoi ai.
Araghchi kërcënoi me sulme hakmarrëse ndaj kompanive amerikane në rajon nëse goditen objektet iraniane të naftës.
“Nëse objektet tona energjetike shënjestrohen, ne gjithashtu do të shënjestrojmë objektet e kompanive amerikane në rajon”, tha ai.
Kryediplomati pretendoi se SHBA-ja ka zhvilluar një dron të ngjashëm me dronin iranian Shahed, të quajtur “Lucas”, i cili, sipas tij, përdoret për të goditur objektiva në vendet arabe, duke theksuar se ky informacion ende është në shqyrtim.
Araghchi tha se komunikimet me vendet fqinje vazhdojnë, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite dhe Omanin.
Kontaktet diplomatike “nuk kanë ndalur”, tha ai, duke shtuar se disa vende të rajonit po zhvillojnë përpjekje ndërmjetësimi për të ulur tensionet dhe për të propozuar ide për t’i dhënë fund luftës.
Irani është i gatshëm të shqyrtojë çdo propozim që do të siguronte një “fund të plotë të luftës”, shtoi ai.
Araghchi tha gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit, një rrugë kyçe tranziti për tankerët e naftës, “mbetet e hapur për të gjitha vendet përveç Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj”.
Përplasjet janë përshkallëzuar që nga 28 shkurti, kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën sulme të përbashkëta ndaj Iranit, duke vrarë rreth 1.200 persona, përfshirë udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë kapacitete ushtarake amerikane.






