Ministri i Jashtëm Osmani fillon vizitën dyditore në BeH, takohet me anëtarët e Presidencës

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e filloi vizitën dyditore në Bosnjë dhe Hercegovinë me një takim me anëtarët e Presidencës vendit, raporton Anadolu.

Osmani u prit në Sarajevë nga anëtarët e Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, pasuar nga takimi i dy delegacioneve.

Pas takimit me anëtarët e Presidencës, Osmani do të bisedojë edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të BeH-së, Elmedin Konakoviq, ndërsa parashihet që dy zyrtarët të adresohen para gazetarëve.

Ndërkohë, është paralajmëruar edhe takim me anëtarët e Kolegjiumit të të dy dhomave të Asamblesë Parlamentare të BeH-së.

Gjatë qëndrimit në BeH, Osmani do të vizitojë Mostarin dhe Jabllanicën, ku do të takohet me kryetarin e Komunës së Mostarit, Mario Kordiq, dhe kryetarin e Komunës së Jabllanicës, Damir Shabanoviq.

Përveç takimit të planifikuar me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Osmani do të takohet edhe me përfaqësues të shoqërisë civile.

Vizita e tij do të përfshijë takime me shefin e Misionit të OSBE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe stafin e misionit, ndërsa gjithashtu do të ketë një mundësi për t’u njohur nga afër me punën e këtij misioni në terren.