Ministri izraelit i kabinetit të luftës paralajmëron dorëheqje nëse s’ka plan pasluftës për Gazën

Benny Gantz

Ministri izraelit i Kabinetit të Luftës, Benny Gantz, ka kërcënuar me dorëheqje nëse kryeministri Benjamin Netanyahu nuk cakton një plan të pasluftës për Rripin e Gazës, raporton “BBC”.

Gantz të shtunën ka dhënë 8 qershorin si datë përfundimtare për të vendosur një plan për arritjen e “gjashtë synimeve strategjike”, përfshirë dhënien fund të sundimit të Hamasit në Gaza dhe krijimin e një administrate civile multinacionale për Gazën.

“Nëse e vendosni çështjen kombëtare para asaj personale, atëherë do të gjeni te ne një partnerë në luftë. Por, nëse zgjidhni rrugën fanatike dhe e çoni kombin në humnerë, ne do të detyrohemi të largohemi nga qeveria”, ka thënë Gantz.

Netanyahu i hodhi poshtë komentet.

Po ashtu edhe ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant, ka bërë thirrje për një plan për administrim palestinez në Gazë dhe ka thënë se nuk do të pajtohet që Izraeli të qeverisë vetë Gazën.
Netanyahu po përballet me presione edhe nga aleatët ndërkombëtarë. SHBA-ja ka bërë thirrje për rigjallërim të Autoritetit Palestinez që ta qeverisë Gazën me ndihmën e Arabisë Saudite dhe shteteve tjera arabe, para se të krijohej një shtet palestinez. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, pritet të shtyjë para me këtë plan kur ta vizitojë sot Izraelin. /koha