Ministri izraelit paralajmëron 400 njësi të reja vendbanimi

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, ka bërë të ditur planet për ndërtimin e 400 njësive të reja banesore në lagjen që pretendohet se një palestinez me thikë sulmoi dhe vrau një kolon hebre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë ditës së djeshme, forcat izraelite vranë palestinezin Mohamed Yousef (17), pasi pretendohet se me thikë sulmoi dhe vrau një kolon hebre, si dhe plagosi dy të tjerë brenda vendbanimit vetëm hebrej Adam afër Ramallahut në Bregun Perëndimor, që është nën pushtim të Izraelit.

“Përgjigjja më e mirë ndaj terrorizmit është më shumë vendbanime në Judea dhe Samaria. Për këtë shkak kam nisur planet për ndërtimin e 400 njësive të reja banesore në vendbanimin Adam të cilin do ta aprovojë komiteti për planifikim në javët e ardhshme”, shkroi Liberman në llogarinë e tij në Twitter.

Paraprakishtë të premten ushtria izraelite imponoi rrethim të fortë ndaj fshatit Kubar afër Ramallahut.