Ministri serb i Mbrojtjes: Për shkak të përkeqësimit të situatës në Kosovë, kemi vënë ushtrinë në gatishmëri

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë më 1 nëntor se ushtria serbe është vënë në gatishmëri për shkak të, siç ka konsideruar ai, situatës në Kosovë me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Këto deklarime vijnë pas vendosjes së fletëqortimit të parë nga ana e Policisë së Kosovës për veturat serbe që s’kanë konvertuar targat në RKS.

“Serbia është vend serioz, ajo merr përgjegjësinë për të gjitha problemet e mundshme”, tha Vuçeviç për televizionin serb ‘Happy’, përcjell lajmi.net.

Ai po ashtu ka deklaruar se në mëngjesin e një nëntorit i është bërë paralajmërimi i parë për targat.

“Kur Serbia flet për paqe dhe stabilitet, nuk nënkupton se ne jemi të dobët, se mund të na ngacmojnë dhe poshtërojnë. Ajo që duhet të dijë populli është se ushtria serbe është shumë herë më e fortë se sa ishte, meriton respekt dhe vepron në koordinim me kryeshtetasit. Ne duhet të punojmë për staf më të madh, armë më të forta, trajnim të forcave rezervë. Ne nuk po përgatitemi për luftë, por nuk mund të jemi plotësisht të papërgatitur për gjithçka që ndodh”, deklaroi më tej ministri i Vuçiqit.

Deri më 21 nëntor, Qeveria e Kosovës do të lëshojë fletëqortime për serbët që nuk konvertojnë targat në RKS.

Nga 21 nëntori, e deri më 21 janar, do të dënohen me nga 150 euro qytetarët serbë që nuk kthejnë targat në legale.

Ndërkaq, nga 21 janari e deri më 21 prill do të testohen targat për veturat serbe.

Nga 21 prilli e tutje synohen të largohen tërësisht nga qarkullimi veturat që nuk bartin targat RTKS.