Ministri Sveçla viziton pikën kufitare në Bërnjak, takoi disa nga policët e sulmuar së fundi

Ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla, ka vizituar të dielën pikën kufitare në Bërnjak dhe stacionin policor të policisë kufitare.

Sveçla takuar disa nga zyrtarët policorë, të cilët janë ballafaquar me sulme nga strukturat ilegale serbe më 31 korrik, si dhe zyrtarë të tjerë policorë që po angazhohen në mbrojtje të kufirit.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se përkundër sfidave me të cilat po ballafaqohen, zyrtarët policorë janë të vendosur të përmbushin në tërësi detyrat dhe obligimet e tyre zyrtare.

“Me këtë rast, i falënderova ata për zellin e treguar deri tani dhe i inkurajova që së bashku të punojmë drejt shtrirjes së plotë të rendit dhe ligjit edhe në atë zonë”, shkroi ministri Sveçla.

Ai ka theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qeveria e Kosovës do të jenë me qytetarët dhe me institucionet e vendit, me qëllim të garantimit të sigurisë për të gjithë.

Ndryshe, zyrtarët e kësaj pike kufitare janë sulmuar përsëri dje derisa po patrullonin në liqenin e Ujmanit.

Që nga viti i kaluar e deri më tash në veri të vendit kanë ndodhur 14 sulme, 10 prej të cilave kanë qenë ndaj zyrtarëve policorë.