Ministrja e Jashtme suedeze: Besojmë se PKK është organizatë terroriste

“Nuk është e drejtë që nuk do të klasifikojmë PKK-në si organizatë terroriste. Nëse është formuar një perceptim i tillë kjo duhet të sqarohet. Të dielën do të takohemi me ministrin e Jashtëm të Turqisë”, tha Linde

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde deklaroi se besojnë që PKK është organizatë terroriste, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një vlerësim lidhur me deklaratën e bërë nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan për procesin e anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, ministrja Linde tha se “Ashtu si Bashkimi Evropian edhe ne besojmë se PKK është organizatë terroriste”.

Sipas lajmit të gazetës “Aftonbladet”, Linde ka mbrojtur idenë se është një situatë që mund të jetë keqkuptuar. “Nuk është e drejtë që nuk do të klasifikojmë PKK-në si organizatë terroriste, nëse është formuar një perceptim i tillë kjo duhet të sqarohet. Të dielën do të takohemi me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu”, tha ajo.

Në anën tjetër ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto në një deklaratë për “Aftonbladet” tha se Finlanda do të aplikojë për anëtarësim në NATO ditën e mërkurë. /aa