Miqësorja me Ukrainën, Mavraj e Balaj: Të reagojmë pas humbjes me Kosovën

ATSH/ -Skuadra kombëtare e futbollit vijon përgatitjet e saj në Verbier, në vigjilje të ndeshjes së dytë miqësore me Ukrainën që luhet të dielën në orën 16:00.

Përpara mediave dolën futbollistët Mërgim Mavraj dhe sulmuesi Bekim Balaj.

Mbrojtësi Mavraj për situatën në skuadër pas humbjes me Kosovën deklaroi se “ishte një ndeshje nga e cila unë mendoj që përgjegjësia është vetëm e jona. Pasi nuk kemi transmetuar në fushë atë që trajneri ka kryer gjatë seancave stërvitore.

Kosova e kishte ndeshjen e jetës, ndërsa skuadra jonë kishte testin për të provuar edhe disa elementë të rinj. Sidoqoftë më duhet të them që ne mbajmë përgjegjësi të plotë. Trajnerin e mirëkuptoj për zgjedhjen e tij për të mos qenë titullar dhe e falenderoj për trajtimin. Kemi përpara Ukrainën dhe do përqëndrohemi fort për të bërë një paraqitje sa më të mirë.

I kemi një borxh publikut tonë por edhe trajnerit dhe besoj se skuadra i ka kapacitetet e duhura për të reaguar shumë. Edhe të rinjtë që vijnë në ekipin kombëtar duhet ta shfrytëzojnë sa më mirë këtë mundësi që u jepet për të veshur këtë fanellë, teksa edhe ndihma e mbështetja jonë për ta nuk do të mungojë. Jemi mirë.

Skuadra është e përqëndruar dhe kam besim se do të reagojë maksimalisht në sfidën miqësore të radhës”, përfundoi mbrojtësi Mërgim Mavraj.

Ndërkaq edhe Balaj mendon se gjithësecili duhet të nxjerrë mësimet e tij nga ajo humbje. “Një ndeshje ku gjithkush nga ne duhet të marrë përgjegjësitë e tij. Ne që jemi në fushë jemi përgjegjësit kryesorë. Përpara kemi Ukrainën dhe që aty duhet të demonstrojmë forcën dhe më të mirën tonë në fushë. Unë jam gati, por cdo zgjedhje teknike i takon vetëm trajnerit”, tha ai.

Ekipi kombëtar do të vijojë programin stërvitor këtë të enjte pasdite në Verbier, në orën 17.00.