Miratohet Projektligji për Fondin Sovran, Kurti: Shteti bëhet më i fortë e më i pasur

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për themelimin e Fondit Sovran.

Këtë Projektligj e ka paraqitur para ministrave, kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se një nismë e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë.

Ai ka theksuar se 170 shtete të botës kanë fonde sovrane. Sipas tij, me këtë Projektligj “Qeveria bëhet më e vogël, por shteti më i fort e më i pasur”.

Kurti ka theksuar se sipas këtij Projektligji, ndërmarrjet publike së bashku me 24 mijë asete të tjera do të barten nga Qeveria në Fondin Sovran.

“Qeveria e Kosovës qëndron fuqishëm prapa këtij versioni duke besuar fuqishëm që një nismë e këtillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë, përmes diversitetit, krijimit të ekonomisë për shtetit përmes investimeve të mençura e me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë”.